Ylli i Newcastle me akuza të ashpra ndaj Granit Xhakës - NACIONALE

Ylli i Newcastle me akuza të ashpra ndaj Granit Xhakës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Callum Wilson e ka akuzuar Granit Xhakën dhe Arsenalin për taktika mashtruese gjatë fitores jetike në St James’ Park të dielën.

Arsenali i mbajti gjallë shpresat e vogla për titull në Premierligë me një fitore tejet të rëndësishme në një stadium ku mbante kujtime të këqija nga e kaluara.

Ëndrra e Arsenalit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar u shua pikërisht në këtë stadium, ku u rikthye me tjetër mendësi dhe i vendosur për të triumfuar këtë herë.

Megjithëse patën fat në raste, topçinjtë i merituan tri pikët edhe nëse taktikat e vazhdueshme për të humbur kohë nga Xhaka e zemëruan Wilsonin, i cili u ballafaqua me mesfushorin shqiptar të Zvicrës.

“Ai (Xhaka) u ul duke e mbajtur ijën (lëndim) dhe po qeshte sikur gjithçka ishte në rregull me të”, tha Wilson për The Footballer’s Football Show.

“Unë i thashë ‘çohu’. Ai thjesht po humbiste kohë. Mendoj se të gjithë lojtarët e tyre u rrëzuan kohë pas kohe dhe e thirrën mjekun në fushë. Dhe u çuan e vazhduan pas dy minutave vonesë”, theksoi ai.

“Pastaj tentova ta çoj në këmbë dhe ai nisi të flasë. E dini si është. Vini nga rruga, nuk i lejoni njerëzit t’ju flasin ashtu. Unë jam tip që, jashtë fushës, njerëzit nuk më flasin mua në këtë mënyrë, prandaj nuk e lejoj këtë gjë në fushë”, tregoi ai për fjalosjen me Xhakën.

“Ata natyrisht erdhën me taktika të qarta. Dhe kur je duke luajtur në shtëpi, natyrisht se kjo të bezdisë. Ne donim të luanim dhe ta gjenim ritmin tonë”, përfundoi ai.

Por trajneri i Arsenalit Mikel Arteta nuk e pranoi se ekipi i tij humbi kohë qëllimisht.

“Ekipi ynë nuk është i tillë. Nuk dua madje të flas për këtë me ndeshjen që kishim. Ne u desh ta bënim atë që është dashur ta bënim për ta fituar lojën dhe jam shumë i lumtur”, theksoi Arteta.

Lajme të ngjashme