Ylli i Arsenalit dëshiron largimin në janar
Arsenali dhe sulmuesi Gabriel Jesus janë të hapur të ndajnë rrugët qysh në afatin kalimtar të janarit.
Jesus arriti në “Emirates Stadium” në vitin 2022 dhe menjëherë zuri vend në formacionin bazë, sidoqoftë tani më s’është në plan të parë me Mikel Artetan që e preferon Kai Havertzin në atë pozitë.
Edhe pse s’ka shënuar gol ende në kampionat, Jesus ka qenë titullar në gjashtë ndeshje në të gjitha garat dhe sipas mediumit brazilian “UOL”, tani lojtari po e konsideron të ardhmen.
Braziliani ka pasur një vit “të rëndë” duke ndarë rrugët edhe me agjentin, që dikur e përfaqësonte dhe situata shkoi deri në një betejë legale.
Kësisoj, Jesus po preferon largimin në dimër dhe Arsenali do të provojë të fitojë sa më shumë që është e mundur.
Arsenali e ka të qartë se në verë duan një qendërsulmues të ri, me Victor Gyokeres që është më i preferuari, mirëpo ky i fundit kërkohet me ngulm edhe nga Manchester Unitedi.
Duke folur më herët këtë sezon pas humbjes nga Inter Milani, Jesus e pranoi se është i zemëruar me minutazhën te “Topçinjtë”.
“Epo, besoj se jo vetëm unë por të gjithë lojtarët duan më shumë minuta. Sigurisht nuk do t’i shkaktoj probleme klubit dhe dua ta tregoj vetën në stërvitje dhe lojë, të kem shansin tim pastaj gjërat do të ndodhin”.
“Gjithnjë e kam bërë të qartë se dua të përmirësohem, të bëj më të mirën dhe ndihmoj Arsenalin. Besoj në potencialin tim dhe e di që të luftoj për një vend te Arsenali është e madhe, por besoj se mund të ndihmoj”.