Ylli holandez: Lionel Messi është i frikshëm
Mbrojtësi holandez Jurrien Timber e ka pranuar se përballja me Lionel Messin është e frikshme, pasi e përjetoi një ndjesi të tillë gjatë Kupës së Botës 2022.
Ylli 21-vjeçar i Ajaxit ishte titullar për Holandën kundër Argjentinës në çerekfinalen e Kupës së Botës në Katar.
Messi bëri një paraqitje mjeshtërore në atë ndeshje, duke shënuar gol nga penalltia në kohën e rregullt dhe po ashtu kur nevojitej më së shumti gjatë penalltive për ta mbajtur vendin e vet në garë për lavdi në Lindjen e Mesme.
Por më shumë se golat në atë ndeshje ra në sy pasimi i tij i jashtëzakonshëm për golin e dytë të Argjentinës, që e shënoi Molina. Messi e shtangu tërë mbrojtjen holandeze me magjinë e tij.
Timber ishte në mesin e atyre me detyrë për ta ndalur rrezikun e qartë që përbënte shtatë herë fituesi i Topit të Artë, që për një qendërmbrojtës të ri si ai është ndër detyrat më të vështira deri tani në karrierën e tij.

“Të përballesh me Messin në Kupën e Botës? Messi është i frikshëm. Ai e pranon një pasim të keq dhe kjo të bën ty të tentosh për t’ia marrë topin atij, t’i bësh presion menjëherë, por ai është në gjendje ta rregullojë atë pasim të dobët me një prekje topi. Topi është në këmbët e tij sa hap e mbyll sytë. Është e pabesueshme”, tha Timber për Ziggo Sport.
Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt fitimit të Kupës së Botës duke e mundur Francën në finale, duke i dhënë fund pritjes tri dekadeshe për lavdi në botëror.
Timber, ndërkohë, pritet t’i bashkohet Manchester Unitedit në verë, pasi kërkohet nga trajneri Erik ten Hag, i cili është bashkëvendës i tij.
