Ylber Ramadani: Natë e madhe për të gjithë | Asani: Me grupin që kemi nuk na mposht askush
Kombëtarja e Shqipërisë shënoi fitore të madhe ndaj Republikës së Çekisë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikimin në EURO 2024. Ylber Ramadani pas ndeshjes tha se sot është natë e madhe për të gjithë, ndërsa shënuesi i golit fantastik Jasir Asani beson në grupin që kanë krijuar dhe thotë se nuk mposhtën as nga kombëtaren më të forta.
Kuqezinjtë fituan 3:0 me dy golat e Taulant Seferit dhe një të Jasir Asanit, për të forcuar kreun e tabelës në grupin E dhe tani është krejtësisht në duart e tyre çështja e kualifikimit në Kampionatin Evropian në Berlin 2024, pasi kanë për të zhvilluar dy ndeshje të lehta, të paktën në letër.
Ylber Ramadani me origjinë nga Kosova, pas ndeshjes tha se u futën vetëm për fitore dhe jo për një pikë.

“Është natë e madhe për të gjithë dhe janë tre pikë shumë të rëndësishme, u futëm për të fituar dhe jo barazuar. Kur shënuam ata sulmuan sepse ishin të dytët në grup, por për ne është një mbrëmje e madhe. Përqafova babin dhe më tha se ka mbetur edhe një ndeshje”.
Ndërsa Jasir Asani që shënoi golin e epërsisë së parë me një goditje të mrekullueshme nga distanca, tha se me grupin që kanë krijuar nuk mund t’i mposht askush, e lëre më Çekia.

“Unë mendoj se që nga dita e parë kemi ardhur vetëm për një qëllim. Kemi lojtarë shumë të mirë, që po bëjmë shumë mirë. Kemi një staf mjaft profesionist dhe një meritë ka edhe presidenti, që ka bërë një punë shumë të madhe. Kemi ardhur këtu me qëllimin për të shkuar në Evropian dhe me këtë grup, jo vetëm Çekia, por nuk na mposhtin as kombëtaret më të forta”.
Dy ndeshjet e fundit dhe vendimtare se a do të shkojë Shqipëria në Evropian apo jo, zhvillohen në nëntor. Fillimisht me Moldavinë më 17 nëntor dhe pastaj me Ishujt Faroje më 20 nëntor.