Xavi pas disfatës 4:0 kundër Realit: Laliga më e rëndësishme se Kupa e Mbretit
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, pretendon se Laliga është më e rëndësishme sesa Kupa e Mbretit, pasi skuadra e tij pësoi disfatë turpëruese 4:0 nga Real Madridi në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të mërkurën në Camp Nou.
Real Madridi e përmbysi humbjen prej 1:0 nga ndeshja e parë në Bernabeu, falë një het-triku të Karim Benzemas dhe një goli të Vinicius Junior në ndeshjen e kthimit në Camp Nou, për të rrëzuar Barcelonën nga Kupa e Mbretit.
Pas tre fitoreve radhazi në El Clasico, humbja 4:0 për Barcelonën ishte e vështirë për t'u gëlltitur për Xavin, i cili këmbëngul se Laliga është më e rëndësishme se konkurrimi në Kupën e Mbretit.
“Ne duhet të fokusohemi në Laliga tani, e cila është një garë më e rëndësishme sesa Kupa e Mbretit. Na kanë mbetur edhe 11 ndeshje në ligë”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se ekipi i tij nuk arriti të përfitonte nga momentet e tyre në pjesën e parë dhe mungesa e disa lojtarëve kryesorë, përfshirë Dembele, Pedri, Frenkie de Jong dhe Andreas Christensen nuk ndihmuan në këtë çështje.
“Ky është Madridi. Në pjesën e parë ata nuk dominuan ndeshjen dhe ne krijuam më shumë shanse, por ata shënuan golin e parë. Ne e dimë këtë. Kështu ata fituan Ligën e Kampionëve vitin e kaluar. Nuk është një justifikim, por me të vërtetë do të kisha dashur të llogarisja në lojtarët e lënduar”, shtoi ai.
Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, pohoi se objektivi kryesor i tyre është të fitojnë Laligën për herë të parë pas katër vitesh.
“Është një humbje e vështirë, por jam i sigurt se kjo nuk do të ndikojë shumë tek ne. Qëllimi ynë më i rëndësishëm është të fitojmë Laligën, pas kaq shumë kohësh”, tha ai.
Barcelona do të dëshirojë ta lërë pas turpërimin në Kupën e Mbretit dhe do të përqendrohet në Laliga, ku e pret Gironën të hënën./Orselina Lazraj/
