Xavi: Nuk është koha të flasim për Messin, Atletico skuadra më në formë
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka refuzuar të komentojë ribashkimin me sulmuesin Lionel Messi, derisa pret një sfidë të vështirë ndaj Atletico Madridit.
Barcelona do të jetë nikoqir i Atletico Madridit të dielën, edhe pse tashmë thuajse se janë kampion në La Liga.
Tekniku spanjoll tha se Atletico është skuadra më në formë në ligë për momentin, prandaj duhet ta dëshmojnë veten.
"Atletico ka një skuadër të shkëlqyer. Jemi ndaj një skuadre të fortë. Janë ndoshta skuadra më e mirë për momentin".
"Duhet ta rigjejmë veten dhe është lojë që na motivon dhe tregon se nuk ishim në nivelin tonë në ndeshjet e kaluara".
"Është ndeshje për të reaguar, që të tregojmë se duam ta fitojmë La Ligan. Nëse fitojmë këtë të diele, Atletico do të ketë pak opsione që të luftojë për La Liga. Të gjitha ndeshjet duhet t'i godasim, nuk mund t'i lejojmë të na afrohen".
Ndërsa, i pyetur për transferimin e mundshëm të Leo Messit, Xavi për dallim nga herët e tjera këtë herë qëndroi i heshtur.
"Nuk jam në dijeni të bisedimeve me Messin. Çfarë duhet të bëj është të punoj dhe mendoj për ndeshjen e radhës, jo vitin tjetër apo transferimet. Për mua, nuk është koha të flas për Messin".