Xavi: Ndeshja më e keqe e sezonit, vazhdojmë garën me Realin për titull
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez thotë se humbja ndaj Almerias ishte ndeshja më e keqe e sezonit.
Katalunasit shpërdoruan rastin që të ikin plus 10 në kreun e tabelës, duke pësuar humbje në udhëtim te Almeria.
Pas ndeshjes, Xavi deklaroi se ishte ndeshja më e keqe e sezonit dhe që kjo gjë duhet të ndryshojë përndryshe do t’iu kushtojë në titull.
"Ishte ndeshja më e keqe e sezonit. Jam tejet i zemëruar, nuk ka arsyetim dhe dua t'i kërkoj falje tifozëve".
"Nëse nuk ndryshojmë në aspektin psikik do të na kushtojë në fund me titull. Humbëm një rast të artë, nuk e kemi fituar ligën që tre vite. Nuk e kuptoj".
Në fund, ai konfirmoi se do të vazhdojnë garën me Real Madridin për titull.
"Do të ngrihemi sërish, por nuk do ta fitojmë ligën në mënyrë të rehatshme. Do të garojmë me Real Madridin, fituesin e fundit të ligës dhe Ligës së Kampionëve".
Barcelona mbetet lider në tabelë me 59 pikë, shtatë më shumë se Real Madridi që renditët në pozitën e dytë.
Katalunasit në xhiron e radhës do të përballen në shtëpi me Valencian, mirëpo do të jenë pa trajnerin Xavi Hernandez si pasojë e kartonit të kuq që e mori.
