Almeria i bën favor Real Madridit duke mposhtur Barcelonën
Almeria ka bërë befasinë e xhiros së 23-të në La Liga duke mposhtur liderin Barcelona.
Katalunasit ishin tejet dominues gjatë tërë kohës, por që vendasit në fund arkëtuan pikët e plota duke triumfuar me rezultat 1:0.
Almeria kaloi në epërsi duke krijuar një aksion të jashtëzakonshëm me Luis Suarez që asistoi për El Bilal Toure, i cili hutoi mbrojtjen mysafire dhe me një goditje shumë të fortë e dërgoi brenda rrjetës së Ter Stegenit (24').
Barcelona ishte shumë kërkuese dhe gjatë pjesës së dytë edhe më agresive, por assesi s'ia dolën ta gjejnë golin e barazimit.
Almeria u mbyll në mbrojtje me pesë mbrojtës duke mos i dhënë aspak hapësirë sulmuesve blaugranas.
Ky padyshim do të jetë favor për Real Madridin, të cilët "kiksuan" në vikend ndaj Atletico Madridit dhe tani mbesin sërish në garën për titull.
Për Barcelonën kjo është humbja e dytë në këtë edicion në kampionatin spanjoll duke qenë lider me 59 pikë, shtatë më shumë se Reali, derisa Almeria ngrihet në pozitën e 15-të me 25 sosh.
Në xhiron e radhës, Barcelona do ta pres Valencian derisa Almeria do të ketë punë me Villarrealin.