Xavi: Lewandowskin nuk do ta ndërroja me askënd në botë
Xavi Hernandez si trajner i Barcelonës është shprehur mjaft i lumtur me paraqitjet e skuadrës së tij dhe me theks të veçantë nga ato të Robert Lewandowskit.
Barcelonën nesër e pret një ndeshje në udhëtim kundër Cadicet. Në vigjilje të kësaj sfide në konferencë për shtyp ka folur Xavi Hernandez.
Ai është pyetur rreth një mori temash që kanë të bëjnë me aktualitetet e fundit rreth klubit, por edhe për lojtarët në mënyrë specifike.
Katalonasit po kalojnë në një formë të mirë si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Andaj, Xavi do të mundohet që t’i nxisë lojtarët e tij që të vazhdojnë me këtë ritëm edhe në javët në vazhdim.
Xavi nuk kursen komplimentet për Lewandowskin
Robert Lewandowski është protagonisti kryesor deri më tani i skuadrës blaugrana. Sulmuesi 34-vjeçar ka shënuar 5 gola në 4 paraqitje dhe tri gola në një paraqitje të vetme në Ligën e Kampionëve.
“Nuk do ta ndërroja me askënd në botë. Përvoja është medalje në vete. Ai është i pjekur dhe i ndihmon të rinjtë me përulësi. Është një privilegj ta kesh në skuadër”, u shpreh Xavi.
Padyshim që ylli polak bërë të gjithë për vete me atë çfarë ka treguar deri në këtë fazë të sezonit me fanellën e re të Barcelonës.
Tek ai janë pritjet më të mëdha që të vazhdojë ta udhëheqë skuadrën drejt synimeve që ia kanë vetës, e që ka të bëjë me rikthimin e trofeve në “Camp Nou”.
Deklaratat e Xavit rreth temave tjera
Rreth konkurrueshmërisë brenda organikës së skuadrës, Xavi deklaroi si vijon: “Është një bekim në vete. Ta kesh një skuadër të gjerë të ofron garanci dhe është ajo çfarë dëshiroja. Jam i lumtur!”
Trajneri katalonas u shpreh edhe rreth dy mbrojtësve anësorë të transferuar nga skuadrat londineze Arsenal dhe Chelsea, respektivisht Bellerin dhe Alonso.
“Janë mirë dhe do të ftohen. Nga ushtrimet e para janë vërejtur ndjesi të mira. Do të na ndihmojnë”, nënvizoi ai.
Pique po kalon një situatë të vështirë brenda dhe jashtë fushës së blertë. Për këtë gjë është i vetëdijshëm edhe vetë trajneri i Barçës, Xavi.
“Inkurajoj shumë Gerardin, sepse nuk është një situatë e lehtë ajo në të cilën po kalon. Ka zhvilluar paraqitje të mirë në Ligën e Kampionëve. Ka hyrë mirë në lojë dhe ka dëshmuar siguri me topin në pronësi”, shtoi ai.
Tek në fund nuk mund të mungonte pyetja edhe sa i takon alternativave që sheh në gatishmëri për rolin që mbulon Busquets.
“Ka shumë opsione: De Jong, Kessie dhe vetë Christensen. Ndërrojmë sistemin e lojës në bazë të karakteristikave të kundërshtarëve”, theksoi Xavi.

