Xavi: Ky ishte grupi më i keq i Barcelonës ndër vite
Trajneri i Barcelonës, Xavi, e pranon se skuadra e tij nuk ishte mjaft e mirë për ta kaluar grupin, të cilin e cilësoi si më të keqin në vitet e fundit, në Ligën e Kampionëve.
Barcelona përballet sot me Viktoria Plzenin pa asnjë gjasë për ta kaluar fazën grupore për sezonin e dytë radhazi, pasi Bayern Munich dhe Interi kanë kaluar tutje nga Grupi C.
“Nuk kemi për çfarë të luajmë, por kjo ndeshje është e rëndësishme. Ne duam ta përfundojmë mirë këtë garë”, tha Xavi për përballjen me Plzenin.
“Neve na mungon pjekuria. Ne kemi shumë të rinj dhe u gjendëm në grupin më të keq në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit. Kemi pasur edhe lëndime. Këto nuk janë arsyetime, por kjo na ka dëmtuar neve. Krahasuar me sezonin e kaluar, këtë vit kemi ekip më të mirë dhe kemi shfaqur një fytyrë më të mirë në Evropë. Por nuk kemi qenë mjaft të mirë”, nënvizoi ai.
Nga kjo Barcelonë pritej shumë, duke qenë se i shpenzoi 150 milionë euro në afatin kalimtar të verës, duke sjellë në klub yje si Robert Lewandowski, Jules Kounde dhe Raphinha në mesin e të tjerëve.

Megjithatë, Barça e fitoi vetëm një dhe i humbi tri nga pesë ndeshjet e deritashme në Grupin C dhe faji është plotësisht i saj, sipas Xavit.
“Ne e humbëm vetë (mundësinë për t’u kualifikuar). E kishim mundësinë, dhe na iku. Kishte hollësi si vendimet e gjyqtarëve dhe situata të pafavorshme, por duhet të jemi kritikë të vetes sonë”, theksoi ai.
Xavi dëshiron t’i shohë gjërat me optimizëm tani, me Barcelonën në vendin e dytë në La Liga dhe me një vend të garantuar në Ligën e Evropës.
“Ne jemi në Ligën e Evropës, jemi në rrugën e duhur. Titujt do të fitohen në vitin 2023, duhet të presim e të shohim nëse kemi mundësi”, përfundoi ai.
