Xavi: Barcelona ka të ardhme të ndritur me ose pa mua
Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, ka thënë se klubi i tij ka të ardhme të ndritur me ose pa të në detyrë, pas humbjes dëshpëruese ndaj Bilbaos 4:2 në Kupë të Mbretit, që i pa katalunasit të eliminohen në çerekfinale.
Humbja në San Mames erdhi vetëm 10 ditë pasi Barça u mund 4:1 nga Real Madrid në finalen e Superkupës spanjolle, duke i lënë shpresat e tyre për fitimin e një trofeu këtë sezon në La Liga dhe Ligë të Kampionëve.
Megjithatë, pavarësisht se ishte i zhgënjyer me rezultatin, Xavi ishte krenar për të rinjtë e ekipit, me adoleshentët Lamine Yamal, Pau Cubarsí, Hector Fort dhe Marc Guiu të gjithë të paraqitur ndaj Bilbaos.
“Të gjithë trajnerët në klubet e mëdha varen nga trofetë, por ndihem krenar për mënyrën se si ne konkurruam kundër një ekipi të madh deri në fund, veçanërisht lojtarët e rinj”, tha Xavi në konferencën e tij për shtyp pas ndeshjes.

"Ne po luajmë me fëmijët. Skuadra është e vogël. Kjo është ajo që dua të them kur them se jemi në ndërtim. Mendoj se ky është fillimi i diçkaje të madhe. Pavarësisht nëse jam këtu apo jo, Barça ka një të ardhme të madhe. Ka një projekt vërtet të mirë, jo për mua si trajner, për sa i përket një brezi vërtet të mirë që vjen. Cubarsí, Fort, Lamine, Guiu dhe shumë lojtarë të tjerë... Fermín López. Unë mendoj se është fillimi i diçkaje të madhe, por ne duhet të punojmë shumë dhe duhet të fitojmë. Ka të bëjë me fitoren te Barça."
Barcelona tashmë do të duhet ta kthejë vëmendjen në La Liga dhe të mundohet që diferencën e madhe të pikëve ta shkrijë, pasi elita spanjolle dhe Liga e Kampionëve janë të vetmet gara ku ata mund të fitojnë diçka momentalisht.