Xavi: Ansu Fati është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, nuk është në shitje
Xavi Hernandez ka folur rreth të ardhmes së Ansu Fati. Trajneri i Barcelonës e quajti lojtar shumë të rëndësishëm dhe shprehi habinë e tij se përse po qarkullojnë zëra rreth largimit të tij.
Gjatë ditëve të fundit nga shtypi spanjoll është shndërruar në çështje në vete e ardhmja e sulmuesit anësor, Ansu Fati. Diçka e tillë vjen pasi ai në dy ndeshjet e fundit ka luajtur vetëm 10 minuta.
Sidoqoftë, Xavi u shpreh se nuk ka asnjë mëdyshje rreth talentit të përfaqësuesit spanjoll. Madje, u shpreh i nevrikosur dhe i habitur me lajmet që po qarkullojnë se mund të largohet nga katalonasit.
“Nuk e kuptoj pse po flitet një gjë e tillë. Nuk ka afat kalimtar të hapur tani. Kështu që, Ansu nuk është në shitje. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe për të ardhmen”, tha ai fillimisht.

Sipas trajnerit të skuadrës liderë në Laliga, në përgjithësi ka një mosdurim nga lojtarët e rinj, të cilët duan vazhdimisht të luajnë. Në rastin e 20-vjeçarit ai u shpreh se vazhdon të ketë besim të verbër në cilësitë e tij.
“Kam një besim të jashtëzakonshëm tek ai. Nëse do të ketë më shumë ose jo minuta, do të varet nga paraqitja e tij. Kam vërtet besim të verbër tek ai. Duhet të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen. Mirëpo, ai duhet të ketë durim. Ekziston shumë nguti për çdo gjë”, deklaroi Xavi.
Nesër skuadrën e tij e pret një ndeshje e vështirë, pasi në udhëtim do të luajë kundër Villarrealit. Sido që të jetë, trajneri katalonas tha se një sfidë e tillë është një rast i mirë për ta thelluar dallimin në pikë në 11 sosh, pasi Real Madridi është i angazhuar në Kupën e Botës për klube, kur sonte do të luajë në finale kundër Al-Hilal.
