"Ai ka fituar të drejtën për të vendosur të ardhmen", Xavi komenton situatën e Busquets - NACIONALE

"Ai ka fituar të drejtën për të vendosur të ardhmen", Xavi komenton situatën e Busquets

1 vit më parë

nga NACIONALE

Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez ka thënë që mesfushori Sergi Busquets ende s'ka vendosur nëse duhet ta nënshkruajë rinovimin e kontratës me katalunasit.

Spanjollit i skadon kontrata momentale në qershor dhe vazhdon të jetë shumë i lidhur me kalimin në MLS.

Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë tejet i rëndësishëm për Barcelonën - ku ka bërë 26 paraqitje këtë edicion dhe blaugranasit duan ta mbajnë edhe për vitin tjetër.

"Në fund të gjithë punojmë bashkë dhe vendimi është i tij. Jemi duke pritur të shohim se çfarë vendos. Ai është tejet i rëndësishëm si brenda edhe jashtë, është kapiteni ynë".

"Ai është pjesë e gjithçkaje dhe ka fituar të drejtën për të vendosur mbi të ardhmen. Nëse do të vazhdojë do të isha i lumtur", deklaroi Xavi në konferencë për shtyp.

Busquets bëri debutimin te Barcelona në vitin 2008 dhe deri me tani ka bërë 706 paraqitje në të gjitha garat duke kontribuar me 18 gola dhe 42 asistime.

Mesfushori zhvilloi 90 minuta në tre ndeshjet e fundit kundër Getafes, Gironas dhe Real Betisit, derisa pritet të jetë titullar edhe në ndeshjen e radhës kundër Sevillas të dielën.

Barcelona synon fitoren e nëntë radhazi në të gjitha garat ku do ta mirëpresin Sevillan në "Camp Nou".

"Kemi një kundërshtar të vështirë. Sampaoli ka sjellë një skuadër të fortë dhe garuese. Mbrohen shumë mirë dhe janë të mirë në presion të lartë".

"Do të jenë kundërshtar i vështirë. Është skuadër me lojtarë me eksperiencë. Nesër do të jetë një test tjetër dhe të shohim nëse do të mundemi ta kalojmë për pikët e plota".

"Jemi në moment të mirë, pesë pikë para Madridit, sapo kemi fituar një titull dhe duhet të vazhdojmë përpara", deklaroi Xavi.

Lajme të ngjashme