Wimbledon akuzohet për shkarkim të stafit për arsye të çuditshme
Turneu më i vjetër i Tenisit, Wimbledon, po akuzohet nga punëtorët se po shkarkohen për arsye të çuditshme, dhe arsyeja siç mësohet është se kanë punësuar më shumë staf seç ju duhej, por sipas punëtorëve janë arsye krejtësisht tjera.
Sipas ish-punëtorëve ka edhe arsye banale të shkarkimit nga puna, siç janë shkuarjet në tualet pa pyetur për punëtorët që ishin pozicionuar për mikpritje.
Të paktën tre punëtorë të përkohshëm thuhet se janë larguar nga puna sepse pas përfundimit të orarit janë ulur të kodrën e famshme me një pije në dorë për të shikuar ndeshjet.
Një student 19-vjeçar që punonte si pjesë e ekipit të mirëmbajtjes së shtëpive , tha se në fillim ishin të kënaqur pasi paguheshin shumë mirë.
“Në fillim ishim të kënaqur shkaku i pagesave por pastaj ndërroi qasja. Po punonim të mërkurën dhe gjatë pushimit të drekës një shok i imi u ul në kodër duke pushuar dhe ngrënë fruta, pas një dite ai pranon një email, ku thuhet se është i larguar. Kjo gjë është shumë e çuditshme.”
Një tjetër punëtor i përkohshëm tha për situatën e krijuar se gjithçka është duke u shkatërruar.
“Mendoj se është situatë për të reflektuar për menaxhimin këtu. Ata po largojnë njerëz nga puna nga të gjitha anët me arsyen se nuk ka tifozë mjaftueshëm, kështu që nuk nevojë për aq shumë punëtorë.”
“Njerëzit po pushohen nga puna duke përdorur faktin se stafi po shikon tenis nga kodra dhe po ushqehet gjatë asaj kohe, justifikim i kotë”, thotë një tifoz tjetër.
Një email i dërguar nga një punëdhënës për stafin e tij, konfirmoi se Klubi i Tenisit dhe Kroketit në të gjithë Anglinë (AELTC) po kërkonte të zvogëlonte numrin e stafit të tij me arsyen se ka shumë pak vizitorë.
“Siç mund ta keni vënë re, numri i vizitorëve është më i ulët se sa pritej, për këtë arsye AELTC ka kërkuar që ne të zvogëlojmë stafin tonë ditorë”, shprehet një nga punëdhënësit.
Numri i pjesëmarrësve në Wimbledon ka qenë në nivel shumë të ulët seç pritej. Kapaciteti ditor në këtë turne është 42,000 ulëse, totali mund të jetë edhe më i lartë kur përfshihen rishitjet e biletave. Të mërkurën dhe të enjten ishin rreth 38,500 tifozë të pranishëm.
Pjesëmarrja më e madhe ndonjëherë në këtë turne ishte shënuar në vitin 2009 kur ishin të pranishëm 46,826 tifozë në një ditë të vetme.