William Saliba nënshkruan kontratë katërvjeçare me Arsenalin
Qendërmbrojtësi Willian Saliba ka nënshkruar kontratë të re katërvjeçare, që do ta mbajë te Arsenali së paku deri më 2027.
22-vjeçari është pjesë kyçe e projektit të “Topçinjve” dhe me kontratën e re do të fitojë 10 milionë funte për sezon.
Në këtë kontratë, nuk ka opsione për të vazhduar edhe për një vit, mirëpo në rast që Arsenali do ta mbajë nuk do ta ketë problem meqenëse s’ka klauzolë lirimi.
Kontrata momentale e francezit skadonte në vitin 2024, por që Arsenali e aktivizoi rinovimin për një vit për të fituar kohë që të arrijë marrëveshjen, gjë që tani e kanë bërë.
Skuadra londineze me kontratën e re ka blinduar lojtarin, i cili pëlqehej nga rivalët e Premierligës, derisa njoftimi zyrtar do të bëhet të premten.
🚨 William Saliba today signed new 4yr contract at Arsenal. 22yo defender was into final 12mnths of previous deal + fresh terms secure him until 2027 - no option to extend. Worth ~£10m per year, no release clause. Announcement on Friday @TheAthleticFC #AFC https://t.co/7Q9yHZqyUB
— David Ornstein (@David_Ornstein) July 6, 2023
Saliba ishte ndër yjet kryesorë te Arsenali edicionin e kaluar dhe mungesa e tij në 11 ndeshjet e fundit pati rol të madh që “Topçinjtë” nuk e fituan titullin kampion.
Arsenal është duke vazhduar t’i blindojë të rinjtë, meqenëse Bukayo Saka, Gabriel, Gabriel Martinelli dhe Aaron Ramsdale veçse kanë rinovuar kontratën.
Saliba kaloi te Arsenali nga Saint-Etienne në vitin 2019, por pastaj u huazua aty për pjesën e dytë të sezonit, derisa edicionin 2021/22 e kaloi te Marseille.
Këtë edicion, francezi ka zhvilluar 27 paraqitje në të gjitha garat duke ndihmuar nënkampionin e Anglisë të sigurojë rikthimin në Ligën e Kampionëve.