West Ham United refuzon ofertën e dytë të Arsenalit për yllin anglez
West Ham United ka refuzuar edhe ofertën e dytë të Arsenalit për kapitenin e tyre dhe yllin e Kombëtares së Anglisë, Declan Rice.
Është marrë vesh se oferta e fundit e topçinjve për mesfushorin 24-vjeçar kishte vlerën e 105 milionë euro në total që do të shkonin te ‘Çekanët’.
Megjithatë, Arsenali po propozonte që tarifa fillestare për Rice të ishte 88 milionë euro, e shpërndarë në katër pagesa.

West Ham refuzoi ofertën e parë të Arsenalit javën e kaluar dhe kërkon një tarifë më të madhe dhe një plan më të shkurtër të pagesave për marrëveshjen.
Drejtuesi i West Ham, David Sullivan ka thënë se është "99%" i sigurt që Rice, i cili udhëhoqi londinezët drejt triumfit në Ligën e Konferencës në fillim të këtij muaji, do të largohet nga skuadra këtë verë.

Rice ka luajtur 245 ndeshje dhe ka shënuar 15 gola për West Ham, pasi debutoi në sezonin 2016-17 pas hyrjes në akademi.
Ai ka luajtur 41 herë nga Anglia, duke luajtur në të pesë ndeshjet e tyre në Kupën e Botës të dimrit të kaluar.
Rice ka një vit të mbetur në kontratën e tij, megjithëse Hammers kanë opsionin ta zgjasin atë deri në verën e vitit 2025, duke i lënë ata në një pozicion të fortë për të negociuar një tarifë të konsiderueshme transferimi.

