Vokrri: Si mund t'i besojmë Ademit që kandidatura ime s'është e vlefshme kur ai gënjen vazhdimisht?
Sot, Komiteti Ekzekutiv i refuzoi aplikimin Gramoz Vokrrit për postin e të parit të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e pranuar vetëm Agim Ademin.
Ishte Komisioni i FFK-së, që refuzoi aplikimin e Vokrrit ngase nuk i vlerësuan të kontestueshme nënshkrimet e FC Prishtinës, FC Ulpianës dhe FC Kika, andaj këto nënshkrime i refuzuan.

Sa ishte drejtëpërdrejt në “Kanal 10”, Vokrri tha se nuk e di nga kush përbehet ky komision, ndërsa as nuk ishte njoftuar që do krijohet një i tillë.
"Fillimisht, duhet të potencojë se ky komision thuajse i pavarur nuk dihet nga kush përbehet, paska dal kinse dje është marrë vendimi për themelimin e këtij komiteti, por në njoftimin e Federatës nuk u njoftua për këtë themelim. Nënshkrimet e mia kanë qenë publike për këtë arsye".
Ai tutje thekson se i ka nënshkrimet, ndërsa ka shtuar disa pyetje rreth kryetarit aktual Agim Ademi, ngase ky i fundit nuk ka bërë asnjë votë publike, gjithashtu deri me tani nuk ka shfaqur asnjë planprogram.
"E mohoj zyrtarisht. I kam nënshkrimet, por Z.Ademi nuk ka nevojë me i bë publike nënshkrimet që me qenë kandidat. Nuk e di pse dëshiron të jetë vetëm një kundërkandidat. Unë nuk e kam parë Ademin duke shfaqur asnjë planprogram".
I pyetur nëse e ka pritur këtë vendim, Vokrri u shpreh se është një tendencë e Ademit për të anashkaluar çdo llojë konkurrence dhe që nuk i beson këtij dokumenti zyrtar.
"A e ke pritur vendimin? Po shihet qartë tendenca për të anashkaluar çdo llojë konkurrence. Me mbërri deri në këtë pikë, jam më shumë i befasuar sidomos duke i parë ngjarjet e fundit që ka pasur akuza e kundëraktakuza. Si t'i besoj këtij njeriu që gënjen vazhdimisht për letrën që e pranoi nga UEFA, prandaj nuk mund t’i besojë as kësaj letre që ma mohon kandidimin".
Situata nuk është edhe e thjeshtë për këto zgjedhje, pasi dje Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) konfirmoi që FFK ka shkelur statutin e vet dhe ligjin për sportin duke i shpallur këto zgjedhje, një dokument të cilën e kishte siguruar Gazeta Nacionale.
"“Në kuptimin të paragrafit 3 të nenit 39 të Statutit të Federatës së Futbollit konsiderojmë se kjo Federatë nuk e ka zbatuar paragrafin 3 të këtij neni ku shprehimisht përcaktohen afatet kohore për organizimin e zgjedhjeve për Kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës", shkruhej në atë dokument, por që nuk tregonte nëse do anulohen këto zgjedhje të parakohshme apo jo.
Mirëpo, kundër këtyre zgjedhjeve të parakohshme nuk ka dal UEFA, që për Gazeta Nacionale theksuan se janë në dijeni dhe do të jenë të pranishëm me 6 prill.
Ndërkohë, deri me tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Ademi për refuzimin e kandidimit të Vokrrit, por para disa ditëve në "AS" kishte deklaruar se nëse do ishte kandidat i vetëm do ishte shumë më mirë.