“Vladimir Putini po na merr çdo gjë dhe ne po e lejojmë”
Emri i plotë i parë i Nadya Karpovas – Nadezhda – nënkupton “shpresë” në rusisht. Ajo e ka një tatuazh të vogël me këtë fjalë në gjuhën angleze në pjesën e përparme të qafës. Ajo e kishte bërë atë në moshën 21-vjeçare, por tani nuk e mban në mend se çfarë shpresash kishte në atë kohë. Tani, tatuazhi i saj ka kuptim të madh.
Qëkur Rusia e pushtoi Ukrainën në orët e hershme të 24 shkurtit, vetëm një numër i vogël i njerëzve të sportit në Rusi folën kundër luftës.
Në mesin e futbollistëve që e përfaqësojnë Rusinë në arenën ndërkombëtare, vetëm tre e kanë bërë këtë deri tani.
Nga kombëtarja e burrave e Rusisë, Fedor Smolov postoi një mesazh “Jo luftë!” në Instagram në shkurt. Ai ka heshtur që prej atëherë. Aleksandr Sobolev e postoi po ashtu një mesazh në ditën kur nisi lufta, por e fshiu atë disa orë më vonë.
Karpova, e cila luan për klubin e futbollit Espanyol në Spanjë, është e treta. Ajo është anëtarja e vetme e kombëtares së grave të Rusisë që e ka kundërshtuar luftën dhe ajo e bën këtë pothuajse çdo ditë.

Qëkur nisi lufta, para më shumë se tre muajve, ajo ka postuar vazhdimisht mesazhe kundër luftës në Instagram, ku ka 143.000 ndjekës.
“Nuk mund thjesht ta shikoj këtë çnjerëzim dhe të hesht”, thotë ajo.
“S’e di se çfarë do të mundë të ndodhte nëse do të isha në Rusi, e jo në Spanjë, por ndiej përgjegjësi të veçantë për të folur kundër luftës”.
27-vjeçarja ka luajtur 24 herë për Rusinë, përfshirë në Kampionatin e fundit Evropian, para pesë viteve. Evropiani i ardhshëm është këtë vit – nga 6-31 korriku në Angli – por Rusia nuk do të jetë aty. Rusët janë pezulluar nga çdo garë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës.
“Propaganda ruse po përpiqet t’i bindë rusët se ne jemi komb shumë i veçantë dhe se e gjithë bota është kundër nesh dhe misionit tonë ‘të veçantë’. Për çfarë misioni të veçantë po flisni? Nuk mendoj se rusët janë të veçantë. Në të njëjtën kohë, nuk ndihem e turpëruar që jam ruse, sepse Rusi nuk është qeveria dhe Vladimir Putini”, nënvizoi ajo.
Ajo shtoi: “Putini na mori çdo gjë neve, na e vodhi të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ai e bëri me këtë me pajtimin tonë të nënkuptuar. Ata (qeveria) nuk hasën në qëndresë të fortë. Shumica e njerëzve i mbyllën sytë para padrejtësisë, duke menduar se nuk është punë për ta”.