Victor Osimhen e shtynë “ëndrrën” për Premierligë, preferon PSG-në
Sulmuesi i Napolit Victor Osimhen raportohet se po preferon kalimin te Paris Saint-Germain, pavarësisht që ka deklaruar se ëndërron të luajë në Premierligë – ku pëlqehet nga Arsenal dhe Chelsea.
“Calciomercato” thotë se nigeriani e ka njoftuar Napolin se do të largohet në verë, ndërsa deri më tani vetëm PSG, Arsenal dhe Chelsea kanë shprehur interesim konkret.
Megjithatë, Osimhen preferon “Parisienët”, ku do të vlerësohet si pasuesi i Kylian Mbappes. Kështu ka deklaruar agjenti Dario Canovi, që përfaqëson trajnerin Thiago Motta.
“Në pikëpamjen time, më shumë gjasë ai do të luajë për Paris Saint-Germain”.
“Do të ishte nënshkrimi më i mençur për të zëvendësuar Kylian Mbappen, i cili është lojtar i Real Madridit për muaj dhe është diçka që ata po mundohen ta fshehin”, deklaroi ai për “Radio Kiss Kiss Napoli”.
Osimhen ka një klauzolë lirimi në kontratën e re me Napolin, e cila besohet të jetë rreth 130 milionë euro.
Derisa Chelsea dhe Arsenal mund të jenë në gjendje për ta paguar këtë vlerë, PSG tashmë i ka paratë në ‘llogari’, shkaku që nuk do t’i paguajnë Mbappes asnjë bonus meqenëse po largohet si agjent i lirë.
Përndryshe, Osimhen javë më parë ka deklaruar se ka vendosur përfundimisht për të ardhmen dhe vendimin do ta njoftojë në afatin e verës.