Vendos goli i Milot Rashicës, Kosova triumfon ndaj Izraelit
Kombëtarja e Kosovës ka triumfuar në sfidën kundër Izraelit, në kuadër të raundit të tetë për kualifikimet në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” fituan me rezultat minimal 1:0, sfidë ku dominuan shumicën e kohës.
Kosova ishte shumë më e mirë nga minuta e parë, duke rrezikuar fillimisht me Vedat Muriqin që tentoi nga afërsia por portieri mysafir bëri një super pritje që t’ia mohojë golin.
Sidoqoftë, zhvillohej minuta e 41-të ku Muriqi e gjeti për mrekulli Milot Rashicën që arriti t’i ikë mbrojtësve për të shënuar nga afërsia (41’).
Kosova kishte raste që të shënonte edhe gol tjetër në pjesën e dytë, me Rashicën dhe Muriqin që dështuan nga afërsia.
Një rast që vlen të përmendet ishte i yllit të Besiktasit që u tregua paksa egoist duke refuzuar t’ia pasojë topin Ermal Krasniqit dhe dështoi ta mposhte portierin mysafir.
Megjithatë, ky gol ishte i mjaftueshëm që Kosova t’i arkëtonte pikët e plota në fushën “Fadil Vokrri”, e cila ishte në gjendje të tmerrshme dhe shpesh herë i pengonte dy kombëtaret të krijojnë lojën e tyre.
Lajmi i keq për Kosovën është padyshim lëndimi i sulmuesit Vedat Muriqi, që u detyrua të largohet në minutën e 66-të.
Me këtë fitore, Kosova renditet në pozitën e katërt me 10 pikë, një më pak se Izraeli që zë vendin e tretë në tabelë.
Ndërkohë, Kosova pas gjashtë ditëve do të përballet me Zvicrën derisa Izraeli e pret Rumaninë.