Vendos goli i bukur i De Bruyne, Man City fiton minimalisht ndaj Leicesterit
Manchester City ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në udhëtim te Leicester City, në kuadër të xhiros së 14-të në Premierligë.
"Qytetarët" triumfuan me rezultat minimal 0:1, sfidë ku e dominuan në posedim, por që nuk kishte shumë raste.
Ndeshja ishte mjaftë e baraspeshuar në mesfushë me Man Cityn që normalisht kishte posedimin më të lartë dhe provonte tërë kohën në ndërtimin e aksioneve.
Pavarësisht që kishte disa raste nga të dy skuadrat angleze, asnjëra nuk i finalizoi kësisoj pjesa e parë përfundoi ashtu sic nisi, pra 0:0.
Në pjesën e dytë, mesfushori me tipare ofensive bëri heroin me një gol jashtëzakonisht të bukur nga gjuajtja e lirë.
Zhvillohej minuta e 49-të, ku belgu nga një distancë e largët e gjuajti topin në korner duke mos i dhënë asnjë shans portierit mysafir dhe kaloi Cityn në epërsi (49').
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Leicester kishte rastin më të artë përmes Youri Tielemans, i cili me një goditje vollej ishte pranë golit, mirëpo Ederson bëri një super pritje që t'ia mohojë golin.
Vlen të ceket një rast qesharak në kohën shtesë, ku Ruben Dias ishte shumë pranë që të shënonte një autogol.
Tutje, asnjëra skuadër nuk i konkretizoi rastet kësisoj Man City arkëtoi pikët e plota.
Manchester City pas këtyre tre pikëve merr përkohësisht "timonin" e Premierligës me 29 pikë të mbledhura, derisa Leicester vazhdon me krizën e njëjtë duke u renditur në pozitën e 17-të me 11 sosh.
Në xhiron e radhës, Man City do ta zhvillojë sfidën e lehtë në "letër" kundër Fulhamit, derisa Leicester City do t'i shkojë Evertonit.