Vëllaznimi i Gjakovës e eliminon Gjilanin, kualifikohen edhe Drita, Llapi e Malisheva
Vëllaznimi i Gjakovës ka shkaktuar befasi të mërkurën duke eliminuar Gjilanin nga Kupa e Kosovës, derisa kualifikimin e kanë siguruar edhe Drita, Llapi e Malisheva.
Vëllaznimi fitoi me rezultat të ngushtë 2:1 në “Liman Gegaj”, sfidë që ishte shumë e hapur nga fillimi. Viktor Kuka e Norik Krasniqi ishin golashënuesit e ‘vendasve’.
Në anën tjetër, Llapi me një fitore komode 2:0 e eliminoi Vushtrrinë për të avancuar në raundin tjetër.
Erdin Dushi me një autogol i dha epërsinë vendasve, ndërsa talenti Elvir Gashijani e vulosi fitoren me një gol të bukur (49’).
Drita gjithashtu nuk e kishte të lehtë ta sigurojë kualifikimin, ku këtë e arriti në penallti meqenëse koha e rregullt ndaj Dukagjinit përfundoi me rezultat 0:0.
Fytyrat tragjike të skuadrës nga Klina rezultoi të jetë Elton Basri dhe Ettiane Tare, të cilët dështuan nga 11-metërshi, me epilogun përfundimtar që doli të jetë 5:4.
Kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës e siguroi edhe Malisheva, me një fitore 0:2 ndaj KF Dinamos së Ferizajt.
Arlind Veliu (31’) dhe Drilon Hazrollaj (40’) ishin golashënuesit e mysafirëve.
Ndërkohë, Prishtina përballet me Suharekën me fillim nga ora 17:00.