Vëllau i Arbër Zenelit, Besforti: Nëse më jepet rasti, gjithmonë do ta zgjedh Suedinë
Besfort Zeneli, vëllau i yllit të Kombëtares së Kosovës, Arbër Zenelit, ka thënë se do ta zgjedhte Suedinë me dëshirë, nësë këta të fundit e thërrasin.
Besforti, 21-vjeçar, po paraqitet suksesshëm në Elfsborg, aty ku tani po luan së bashku me vëllaun e tij, teksa në nivel kombëtar, është pjesë e Kosovës U21.
Nën drejtimin e Oscar Hiljemark, Besfort Zeneli ka luajtur në shtatë nga tetë ndeshjet e fundit të Elfsborg dhe ka pasur një përparim të madh në mesfushë.
Ai luajti përsëri nga fillimi në fitoren 2:0 kundër Sheriff Tiraspol (3:0 në total) në kualifikueset për Ligën e Evropës të enjten në mbrëmje.
"Pavarësisht vështirësive, besoj në një aventurë të gjatë evropiane me klubin. Duhet të rifreskohemi tani. Ne do të vazhdojmë me këso paraqitje. Më parë kemi luajtur më ndryshe, tani falë cilësive që kemi jemi duke u paraqitur më mirë. Kjo lojë na përshtatet më shumë," tha 21-vjeçari që startoi në atë ndeshje së bashku me Arbër Zenelin.
Tetë vite më parë, Arbër Zeneli, e pranoi ftesën e Kombëtares së Kosovës, ndonëse kishte shprehur hapur dëshirën për të luajtur për Suedinë. Atë kohë ai ishte pjesë e Suedisë U21 dhe u bë bujë e madhe në media për zgjedhjen e tij.
Tani vëllau i tij i talentuar që luan te Kosova U21 thotë se do të dëshironte të luante për Suedinë, ndonëse e di që një ftesë vështirë se do të vijë për të.
"Është pak e vështirë. Unë kam filluar tani të kem paraqitje të mira. Kam pasur kohë të vështira kur isha më i ri dhe nuk më shkoi mirë. Por kam qenë i duruar dhe kam luftuar për të ardhur në këtë pikë," tha fillimisht Besforti për Sportbladet.
Nëse Federata e Suedisë do ta ftonte, Besforti do ta pranonte me dëshirë
"Suedia do të jetë gjithmonë pranë meje. Sigurisht, nëse më jepet rasti dhe më thërrasin, do të zgjedh gjithmonë Suedinë."
Kjo nuk vlen vetëm për skuadrën e parë të Suedisë, pasi ai thotë se do ta pranonte një ftesë edhe nga U21.
"Nëse Federata merr vesh për mua, do të doja shumë të luaja për Suedinë. Tani e kam Kosovën dhe i ndjej edhe ata. Nëse asgjë nuk ndodh me Suedinë, mund të vazhdoj të luaj për Kosovën."
Në pyetjen se çfarë mendimi ka babai i tij dhe vëllau, Besforti thotë se e mbështesin në çdo veprim.
"Ata më mbështesin në atë që mendoj se është e drejtë për mua. Se unë duhet të zgjedh atë që më thotë zemra ime."