Vedat Muriqi: Ndihem i lumtur kur i ndihmoj bashkëlojtarët, u pendova për kartonin e kuq
Vedat Muriqi thotë t’i ndihmojë bashkëlojtarët e bën të ndihet i lumtur, pasi e frymëzoi Mallorcan drejt një fitoreje prej 2:1 kundër Valencias duke shënuar një gol.
Përfaqësuesi i Kosovës u kthye nga pezullimi për ta ndihmuar Mallorcan – e cila i kishte humbur të dy ndeshjet në të cilat mungoi prizrenasi – ta mundë 2:1 Valencian të dielën, duke i thënë fund një ecuri prej katër ndeshjeve pa fitore në La Liga.
Ish-sulmuesi i Lirisë, 28 vjeç, ishte përjashtuar kundër Elches pasi e kishte goditur me shpullë kundërshtarin dhe tani thotë se ndihet i penduar për veprimin.
“Jam i zemëruar me veten time sepse për një budallallëk i lashë bashkëlojtarët e mi vetëm të vuajnë, sepse gjithmonë është më mirë të vuash së bashku. Si sulmues nuk mund të kërkoj më shumë se të kthehem më fitore dhe me gol”, tha Muriqi për mediat spanjolle.
“Jam i lumtur që u ktheva në ekip dhe shënova gol, jam i lumtur që i ndihmova shokët me golat e mi. Kishim një ndeshje të vështirë para nesh dhe e dinim se do të ishte e tillë”, shtoi ai.

Puna e Muriqit në Mallorca këtë sezon është e pashoq, pasi kosovari i ka shënuar pesë gola përveç punës së palodhshme në fushë, si lufta për topa, krijimi i hapësirës për bashkëlojtarë në sulm dhe presioni ndaj kundërshtarëve kur ata kanë topin.
Mallorca do të udhëtojë drejt Palmas për t’u përballur me Espanyolin dhe Muriqi beson se do të jetë më vështirë se ndaj Valencias.
“Ndeshja me Espanyolin do të jetë më e vështirë se me Valencian, për t’i përforcuar këto tri pikë në Mestalla, ne duhet t’i shtojmë edhe tri pikë të tjera para se të përballemi me Atletico Madridin”, nënvizoi ai.
Muriqi – i cili iu bashkua Mallorcas nga Lazio këtë verë në një marrëveshje prej 7 milionë eurove – i ka shënuar pesë gola në nëntë ndeshje në La Liga këtë sezon.
Ai e arriti kthimin e shumëdëshiruar në Mallorca – te e cila e kishte kaluar pjesën e dytë të sezonit të kaluar në huazim – vetëm pasi Club Brugge e kishte prishur marrëveshjen për blerjen e tij duke pretenduar se kosovari kishte dështuar t’i kalojë testet mjekësore.
