Vdes roja e stadiumit në Katar pasi u rrëzua pas ndeshjes çerekfinale
Një roje e sigurisë në stadiumin Lusail ku po zhvillohen ndeshjet e Botërorit në Katar, ka vdekur pasi u rrëzua pas fitores së Argjentinës në çerekfinale ndaj Holandës.
Keniani, John Njau Kibue fillimisht u tha se ishte në një gjendje të qëndrueshme, por kritike, megjithatë, ai vdiq pas tre ditësh në spital.
Organizatorët e Katarit thonë se "po hetojnë rrethanat si çështje urgjente që çuan në rënien e punëtorit".
Motra e 24-vjeçareit tha për CNN se ende nuk u është dhënë një shpjegim.
"Ne duam drejtësi. Ne duam të dimë se çfarë e shkaktoi vdekjen e tij. Ata kurrë nuk na kanë dërguar një fotografi për të treguar se nga ka rënë ai ose për të na dhënë ndonjë informacion tjetër," tha Ann Wanjiru.
Familja e Kibue tha për CNN se ai u transferua në Katar në nëntor për të punuar me një kontratë pune me një firmë lokale sigurie.
Kibue është punëtori i dytë emigrant që raportohet se ka vdekur që nga fillimi i Kupës së Botës më 20 nëntor. Një shtetas filipinas ra për vdekje teksa po kryente riparime në një vendpushim që përdoret si bazë stërvitore nga ekipi i Arabisë Saudite, raportoi The Athletic.
Edhe pse komiteti suprem i turneut theksoi se vdekja ndodhi në pronë jashtë juridiksionit të tij, ata ofruan "ngushëllime të sinqerta" për familjen, kolegët dhe miqtë e Kibue.
Një raport i gazetës TheGuardian vitin e kaluar tha se 6,500 punëtorë emigrantë kishin vdekur në Katar që kur vendit iu dha organizimi i Kupës së Botës në vitin 2010.
Kjo është mohuar nga autoritetet e Katarit, të cilët thonë se ka pasur tre vdekje të lidhura me punën në ndërtim të lidhura drejtpërdrejt me turneun, dhe 37 vdekje të tjera jo të lidhura me punën. Ata thonë se kjo shifër rritet në mes 400 dhe 500 kur merren parasysh të gjitha projektet infrastrukturore të nevojshme për të mbështetur turneun.

