Intervistë | Dajaku: Katarin s'mund ta akuzojmë për gjëra që ndodhin edhe te ne, Xhaka e bën shqiponjën prapë - NACIONALE

Intervistë | Dajaku: Katarin s'mund ta akuzojmë për gjëra që ndodhin edhe te ne, Xhaka e bën shqiponjën prapë

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Ish-futbollisti kosovar, Taulant Dajaku, në një intervistë për Nacionalen ka folur për Kupën e Botës dhe skuadrat pjessmarrëse. Ai ka thënë se Katari nuk duhet të fajsohet për gjëra që ndodhin edhe në Kosovë, ndërsa për Granit Xhakën mendon se ai prapë do ta bëjë shqiponjën.

Kupa e Botës në Katar do të nisë këtë të diel. Ky është Botërori i 22-të dhe i pari në Lindjen e Mesme. Katari është vendi më i vogël që e organizon këtë turne. Ky Botëror shihet si mundësia e fundit për Lionel Messin e Argjentinës dhe Cristiano Ronaldon e Portugalisë për ta arritur lavdinë.

Derisa njerëzit përreth botës mezi presin që turneu të fillojë, shumë zëra janë ngritur kundër Katarit, duke e akuzuar për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe punëtorëve. Madje ka pasur thirrje që ai të bojkotohet tërësisht.

Për të folur rreth ngjarjes më të madhe të futbollit, në studiot e Nacionales ishte Taulant Dajaku, ish-futbollist i Prishtinës dhe Drenicës, tani analist futbolli.

Në të ardhmen mund të kemi sërish një organizim të njëjtë

Kishte pasur polemika të vazhdueshme për organizimin e Kupës së Botës në Katar, për shkak të ligjeve të rrepta e kufizuese për shoqërinë, por ish-futbollisti i Drenicës thotë se ai është një nga ata që nuk beson në gjykimin kolektiv, që po i bëhet këtij turneu.

“Kupa e Botës është një eveniment i jashtëzakonshëm, elita e futbollit botëror, eveniment që FIFA e ka ndërtuar që nga fillimi për fituesin më të rëndësishëm të Botërorit. Çështja që ka hapur shumë diskutime, jo vetëm me Katarin por edhe me organizimet tjera, ka pasur shumë pro dhe kundër. Tashmë kemi dëgjuar polemikat e mëdha, së fundmi edhe deklaratat e Sepp Blatter që tha se është pishman që ka zgjedhur Katarin, por unë mendoj se nuk është korrekte që të gjykojmë në vetëm ato pika, rastet e vdekjes ndodhin edhe në Kosovë gjatë ndërtimit. Atje shkojnë kultura të ndryshme dhe shkëmbimi i këtyre përvojave jetësore do t’i mundësojë evoluimin shoqëror të atyre, prandaj unë hyjë te ata njerëz që nuk besojnë në gjykimin kolektiv të njerëzve se a do duhej në Katar apo jo.”

I pyetur se a mund ta marrë industrinë e futbollit përsipër bota arabe, pasi shumë klube të mëdha tani më janë në pronësi të sheikëve, Dajaku mendon se ekonomia e lirë e tregut ia mundëson që parat t’i shndërrojnë në kapital, por kjo nuk krijon ndonjë avantazh.

“Kjo vjen nga ekonomia e lirë e tregut, ku ai që ka para ka një lloj kapitali që vjen nga asetet nëntokësore dhe iu mundëson atyre të marrin në dorë klubet më të mëdha të futbollit, por jo vetëm të futbollit, ata kanë në dorë një linjë të madhe të gjërave që herë-herë evropianët edhe ushqehen, pra askush nuk dyshon se këto të ardhura që ata kanë fituar nga nafta e resurset e tjera do të krijojnë ndonjë avantazh në blerjen e aseteve sportive që janë nëpër botë.”

Për herë të parë një Kupë e Botës gjatë vjeshtës

Ky Botëror është më i pazakonti i zhvilluar ndonjëherë, pasi që zhvillohet për herë të parë gjatë muajve nëntor e dhjetor, por sa ndikon kjo te klubet?

Taulanti thotë se ky rast mund të çojë në reflektim, ku në të ardhmen e afërt mund të kemi edhe Botërorë të tjerë të organizuar kështu.

“Kjo ka qenë një problematikë me të cilën klubet e rëndësishme botërore përballen, pasi ata investojnë shumë dhe marrin pjesë në shumë gara. Kanë thënë se është një eksperiment dhe do të shohin si do të dal në fund. Nëse e sheh zgjedhjen, përveç problematikes pse Katari, mundësia të luhej në verë atje do ishte e pamundur, pra ishte një kompromis për klimën, ndoshta nëse kalojnë me sukses kësaj radhe, dhe në zgjedhjet në vazhdim mund të ketë reflektim dhe të ketë përsëri një organizim të tillë diku në Afrikë.”

Momenti i fundit për një finale të madhe Messi - Ronaldo

I pyetur për favoritin kryesor të tij në këtë Kupë të Botës, Dajaku tregoi se kush ka mundësitë më të mira, por mendon se do të ishte momenti i fundit për një finale mes Argjentinës së Messit dhe Portugalisë së Ronaldos.

“Të dyja nuk ka gjasa të triumfojnë njëherazi, mund të jenë në një finale pasi kanë peek-un e lojtarëve të nivele të mëdha, sigurisht mbështetur në këta dy kolos të futbollit të periudhës së fundit. Ndoshta është momenti i fundit të shohim një finale shumë të madhe të dy njerëzve që kanë pasur një konkurrencë shumë të gjatë në futboll. Nëse sheh skuadrat pjesëmarrëse, jo vetëm Argjentina e Portugalia, por e kemi edhe Brazilin e magjishëm e gjithashtu mund të jetë edhe Anglia në momentin e saj më të mirë duke parë rrugëtimin e saj në Evropian, kështu që etja e futbollistëve anglez mund t’i dërgojë në finalen e madhe atje.”

Befasia – Portugalia në finale

Befasia e ëmbël sipas ish-futbollistit mund të jetë Portugalia nëse arrin në një finale, por që dëshira e tij do të ishte Zvicra.

“Nëse Portugalia shkon në finale do ishte befasi e mirë, mirëpo unë do doja që Zvicra, pasi është e vetmja që përfaqëson diçka të tonën atje.”

Për Brazilin mendon se është favoriti kryesor, por Dajaku mendon se Zvicra sërish do të ja tregojë vendin Serbisë si në Botërorin 2018.

“Brazili është favorit edhe në letër edhe në fushë edhe kudo, sa i përket Serbisë, ata besoj e kanë marrë përgjigjen në përballjen e magjishme të Botërorit të kaluar, sigurisht Zvicra tashmë ka edhe përvojën dhe janë më të pjekur dhe besoj se do ja japin edhe përgjigjen e dytë Serbisë.”

Dajaku: Edhe Xhaka edhe Shaqiri sërish do ta bëjnë shqiponjën

Taulant Dajaku është i bindur se edhe Granit Xhaka edhe Xherdan Shaqiri do ta bëjnë shqiponjën sërish, dhe se deklaratat kanë qenë vetëm diplomatike.

“Sigurisht, unë jam shume i sigurt se pavarësisht çdo deklarate diplomatike për të shmangur botën mediatike që e gjykonin pse ai e ka bërë këtë, deklarata se është bere pishman është thjesht për të ulur gjakrat pas deklaratave të drejtorit sportiv të Zvicrës, por jam shume i sigurt që Xhaka në një situatë të tillë nuk do jetë ai diplomati dhe nuk do mendoj se çfarë do shkruajnë mediat, pasi herën e pare kur e ka bërë e ka bërë natyrshëm, pra jam shume i sigurt qe edhe Xhaka edhe Shaqiri prapë do ta bëjnë të njëjtën gjë, pavarësisht kontratave e marrëveshje fiktive që ka deklaruar drejtori sportiv. Por që do ta bëjë, Xhaka do ta bëjë.”

Double eagle' celebration provokes Serbs - BBC News

Forma e Xhakës me Arsenalin është e padiskutueshme por Dajaku mendon se edhe Shaqiri do të paraqitet jashtëzakonisht mirë, duke shtuar tutje se pas paraqitjeve të mira mund të kthehet sërish në Evropë.

“Për Xhakën është e sigurte, ai është në kulmin e tij të karrierës, për shkak se ai ndjenë besimin e Artetas dhe roli i tij i ri në Arsenal i ka ndihmuar shumë atij në shumë aspekte, të shënojë, të asistojë dhe besoj se Murat Yakin do të tentojë t’i jap diçka Zvicrës me pozitën e re edhe në kombëtare, pritjet për të janë të mëdha, njëjtë është edhe për Shaqirin, për shkak se nuk ka lidhje pse ai është zhvendos në Amerikë, i duhet kohë dhe nuk mund të presësh ai të jetë menjëherë në më të mirën e tij. Në periudhën e fundit kur kampionati amerikan ka qenë në pauzë, ai nëpërmjet një kontrate ka stërvitur me Luganon. Në aspektin sportiv eksperienca që ka Shaqiri, si dhe koha e gjatë që luan me këtë grup do ta bëjë atë më produktiv si në kohën e Joachim Loew kur bënte me Podolskin, i cili nuk kalonte në formë të mirë me skuadrën por kur vinte te kombëtarja bënte ato gjërat e magjishme. Ky Botëror mund të jetë motiv shtesë për Shaqirin, pasi një paraqitje e mirë mund të bëjë që ai të rikthehet në Evropë, dhe besoj se ai do bëjë gjëra të jashtëzakonshme.”

Ky Botëror do të ketë më së paku shqiptarë që nga Botërori i Afrikës së Jugut, kjo vjen si rrjedhojë e një cikli, por analisti i futbollit thotë se shumë shpejt kjo situatë do të ndryshojë, pasi skuadrat në Zvicër në gjeneratat e reja kanë shumë futbollist shqiptarë në radhët e tyre.

“Është proces që ndodh me cikël, nëse shikon Xhakën e Shaqirin dhe plot emra tjerë kanë qenë në një rrugëtim me moshat e reja, kishim edhe Zeqirin që shpresoi në një thirrje, por mungesa e ndeshjeve bëri që ai të mos thirret. Ajo periudha kur kishim shumë lojtarë, mendoj se do vijë sërish, pasi klubet e gjeneratave të reja në Zvicër kanë shumicën dërrmuese shqiptarë, ndërsa sa i përket Gjermanisë mendoj se Mustafi ishte në momentumin e jetës së tij që ishte në grumbullim, kishte një pretendim që mund të ishte edhe Mergim Berishën, por për fatin tonë të mirë, ai tani mund të kthehet në realitet dhe ta ndihmojë Kombëtaren e Kosovës.”

Kosova shumë larg një Botërori

Ish-futbollisti që tërë karrierën e kaloi në Kosovë dhe e njeh mirë organizimin këtu, thotë se Kombëtarja e Kosovës është shumë larg për të luajtur në një Botëror, pasi ata po hasin në probleme me skuadra shumë më të dobëta në Ligën e Kombeve.

“Në aspektin e dëshirës do doja që edhe këtë herë të jemi aty, por realiteti i asaj çfarë po ndodhë në këto procese që janë komplekse, për shkak se futbolli nuk është lehtësisht i konkurreshëm me skuadrat që kanë traditën e cilësinë shumë më të madhe. Unë besoj që jemi larg edhe pse dëshira ime është. Mirëpo në rrugëtimin që ne kemi pasur deri më tani, kemi hasur në vështirësi edhe me skuadra të vogla në Ligën e Kombeve, dhe realisht kur sheh këto gjëra e kupton se jemi shumë larg.”

Lajme të ngjashme