KATAR 2022| Vdes gazetari në stadium duke raportuar në ndeshjen Argjentinë – Holandë
Gazetari amerikan, Grant Wahl, i cili mbrëmë ishte duke u mbuluar ndeshjen Argjentinë – Holandë, vdiq si pasojë e ankthit. As reagimi i menjëhershëm i ekipeve mjekësore nuk arriti t’i ndihmojë atij.
Në ShBA ishte njëri prej gazetarëve më të vlerësuar sportiv, por ndeshja e mbrëmshme mes Argjentinës dhe Holandës doli të ishte fatale për Grant Wahl.
Kështu, Wahl në moshë 49-vjeçe ndërroi jetë gjersa ishte duke ushtruar profesionin e tij, në mbulimin e një ndeshje dramatike çfarë ishte ajo e mbrëmshmja. Si pasojë e ankthit, ai ra nga pjesa e prapa e tribunave ku është hapësira e gazetarëve.
Kolegët e tij gazetarë që ishin të pranishëm në hapësirën e njëjtë afër tij kërkuan që t’i jepej ndihma e parë nga ekipet mjekësore. Sipas shtypit amerikan, reagimi i mjekëve ka qenë i menjëhershëm, por i pamjaftueshëm që të shpëtonte nga vdekja.
“Ka pranuar menjëherë ndihmë mjekësore në vendin e ngjarjes, të cilat vazhduan edhe gjersa ai transferohej me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Hamadit”, sqaroi Komiteti Organizativ i Kampionatit Botëror.
“Jemi në kontakt me Ambasadën e ShBA-ve dhe autoritetet kompetente lokale për ta garantuar procesin e kthimit të kufomës në vendlindje në përpikëri me dëshirat e familjes”, nënvizoi Komiteti Organizativ.

Gjithashtu edhe Departamenti i ShBA-ve pati një reagim, ku u shpreh i tronditur në lidhje me rastin dhe u zotua se do të bëjnë përpjekjet maksimale për ta kthyer kufomën sa më parë të jetë e mundur.
“Jemi të angazhuar me zyrtarët e lartë të Katarit për të bërë çmos që dëshirat e familjes të respektohen sa më parë që është e mundur”, tha Zëdhënësi i Departamentit të shtetit, Ned Price.

Vazhdimet e ndeshjes fatale për Wahl
Pasi ndeshja Holandë – Argjentinë shkoi në vazhdime, aty filloi përkeqësimi i shëndetit të gazetarit të ndjerë amerikan, Wahl.
Kështu, edhe rënia e tij nga mbrapa ndodhi pikërisht në ato minuta sa po luheshin vazhdimet e ndeshjes dramatike.
Për Wahl në profesionin e gazetarit ky ishte mbulimi i tetë i Kupës së Botës në futboll. Megjithatë, ai gjatë ditëve të kaluara kishte paralajmëruar se shëndeti i tij nuk ishte tërësisht në rregull.
“Tri javë me pak gjumë dhe stres të lartë”, kishte shkruar ai të hënën në ueb faqen e tij.
“Ajo që ishte thjesht një ftohje në dhjetë ditët e fundit, u transformua në diçka më të rëndë në mbrëmjen e ndeshjes ShBA – Holanda dhe mund të ndieja pjesën e sipërme të gjoksit që fitonte një nivel të ri të presionit”, shkruante Wahl.
Pra, Wahl ankesa në shëndet kishte pasur edhe gjatë kohëve të fundit. Gjithsesi, emri i tij është përfolur shumë gjatë Botërorit të fundit edhe për shkak të simbolikave tjera.

Siç raporton “ESPN”, ai kishte marrë vëmendje ndërkombëtare pasi kishte deklaruar se nuk i është mundësuar për pak çaste që ta mbulonte ndeshjen mes ShBA-ve dhe Uellsit më 21 nëntor, për shkak se kishte veshur një bluzë me ngjyrë ylberi, në përkrahje të komunitetit LGBTQI+, meqë në Katar të drejtat e tyre janë të shkelura.
Ai mbulonte kryesisht futbollin dhe basketbollin. Deri më 2019, për shtatë vjet më konkretisht, kishte punuar edhe për gjigantin televiziv “Fox Sports”, ndërsa më pas u angazhua vetëm në ueb faqen e tij.

