Man. United nuk ka të ndalur, siguron gjysmëfinalen e Kupës Carabao - NACIONALE

Man. United nuk ka të ndalur, siguron gjysmëfinalen e Kupës Carabao

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Manchester United ka arritur të sigurojë gjysmëfinalen e Kupës Carabao, pasi mposhti Charltonin në terrenin vendës me rezultat të pastër 3:0. Kalimin tutje e siguroi edhe Newcastle, duke mposhtur 2:0 Leicesterin.

Ten Hag mund të buzëqesh, pasi ky fillim i vitit ka nisur mjaft mirë për skuadrën e tij, e veçanërisht në ndeshjet e kupave të vendit.

“Djajtë e Kuq” sonte arritën ta sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës Carabao, pas një fitore me rezultat të thellë kundër Charltonit.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 21-të, kur Antony shënoi një gol mahnitës nga jashtë zona e rreptësisë, duke lënë të shtangur portierin mysafir.

Goditja e sulmuesit brazilian ishte teknikisht e përsosur, saqë nuk i la asnjë mundësi portierit rival që të reagonte në kohën e duhur për ta pritur atë.

Pastaj pasuan dy gola të shpejtë të Manchester Unitedit në minutat shtesë. Së pari ishte Rashford ai që nga afërsia dyfishoi epërsinë, duke shënuar për 2:0.

Gjithmonë i njëjti protagonist, Rashford, katër minuta më vonë shënoi një tjetër gol, duke mbyllur edhe llogarinë e ndeshjes me një fitore të pastër të "Djajve të Kuq".

Trajneri holandez vendosi që në këtë ndeshje t’i pushojë një numër të madh lojtarësh, duke u dhënë hapësirë edhe atyre që nuk kishin pasur shumë mundësi që ta tregonin vetën gjatë këtij sezonit. Startues në ndeshjen në fjalë ishte edhe përfaqësuesi anglez Maguire, i cili në këtë sezon po vazhdon të konsiderohet një lojtar stoli.

Kujtojmë se në ndeshjen tjetër që u zhvillua për rrethin e çerekfinales të Kupës Carabao, respektivisht ajo mes Newcastle dhe Leicester, përfundoi me fitoren e vendësve me rezultat 2:0. Newcastle kështu iu bashkangjit Manchester Unitedit si dy skuadrat e para që arritën cakun e gjysmëfinale të kësaj kupe.

Përmbledhja e ndeshjes Manchester United – Charlton:

Lajme të ngjashme