Vijojnë problemet për Chelsean, Pulisic do të mungojë për dy muaj pas lëndimit që pësoi kundër Man. Cityt
Christian Pulisic nuk do të mund të jetë në gatishmëri të trajnerit Graham Potter për dy muaj, pasi i njëjti u lëndua në ndeshjen e vlefshme për Premierligë kundër Manchester Cityt, të cilën “Të Kaltrit” e humbën me rezultat 1:0
Probleme pas problemeve te Chelsea. Si të mungonte kriza e theksuar e rezultateve, tani janë edhe lëndimet ato që po e vënë në një pozitë të vështirë trajnerin Potter.
I fundit që i është shtuar listës së gjatë të futbollistëve të lënduar është edhe Pulisic. Mesfushori me tipare sulmuese amerikan u lëndua në ndeshjen e kampionatit kundër Manchester Cityt më 5 janar.
Ai u largua në minutën e 22-të në ndeshjen në fjalë, duke mos ia dalë që ta vazhdonte atë. Lëndim ky në gju, që menjëherë shqetësoi stafin teknik.
Për fat të keq, pasi janë bërë diagnostikimet e para, është konstatuar se lëndimi i tij është serioz. Si i tillë do të nevojitet kohë të paktën dy muaj që të rikuperohet.
Ylli amerikan nuk është se ka gëzuar një rendiment shumë të mirë të formës qëkur është transferuar në “Stamford Bridge”, duke mos mundur që ta ruajë një vazhdimësi të admirueshme. Megjithatë, ai gjithnjë ka qenë një lojtar që ka mundur t’i ndryshojë ekuilibrat e lojës.
Meqë Chelsea po vuan herë-herë për një profil të tillë gjatë ndeshjeve, e sidomos në kontekst të ngërçit që ka në shënimin e golave, lëndimi i përfaqësuesit amerikan është një lajm aspak i mirëseardhur për trajnerin Potter, të cilit kokëçarjet vetëm se po i shtohen.
