Valon Behrami i ashpër me Leaon: Mos e trajtoni më si kampion
Ish-mesfushori zviceran me prejardhje nga Kosova, Valon Behrami, që tani është analist futbolli në Itali, ka thënë se duhet të ndalojmë së trajtuari si kampion Rafael Leaon.
Rafael Leao nuk po kalon kohë të mira te Milani, madje u la në bankën rezervë në ndeshjen e fundit të kuqezinjve ndaj Napolit, duke ngjallur më shumë dyshime për raportet e tij me trajnerin Fonseca.
Behrami, që dikur ka luajtur në Serie A, thotë se ylli portugez nuk duhet të trajtohet kampion, pasi që nga sezoni kur e ndihmoi Milanin drejt titullit, nuk është paraqitur në formën siç pritet nga ai.
"Ne duhet të përcaktojmë se çfarë do të thotë të jesh kampion. Për mua, Leao nuk është një i tillë për momentin. Ka pasur një sezon të mrekullueshëm kur fitoi titullin kampion, ku të gjithë mësuam nga aftësitë e tij, por që nga ajo kohë nuk mund ta quaj si kampion."
I pyetur për ndeshjen ndaj Napolit, ku trajneri Fonseca e vendosi atë në bankë rezervë, Behrami shtoi: "Nuk mund ta shoh si një lojtar që arrin të dalë në qendër të vëmendjes për disa ndeshje radhazi. Duhet të ndalojmë së trajtuari kampion. Nëse vendoset në pankinë, është në pankinë, kaq."
Milani ashtu si Leao nuk e kanë nisur mirë sezonin e ri të Serie A, ku janë jashtë zonës së Evropës pas 10 xhirove të para.