Valon Behrami e kritikon ashpër Granit Xhakën: Pësuam dy gola shkaku i gabimeve të tij
Ish futbollisti Valon Behrami ka kritikuar Granit Xhakën për paraqitjen ndaj Danimarkës, ku mendon se shkaku i gabimeve të mesfushorit Zvicra pësoi dy gola.
Ai si zakonisht ka komentuar ndeshjet e kombëtares helvetike për “20min.ch”, ku ndër të tjera këtë herë kishte kritika për Xhakën.
“Të martën pastaj Granit Xhaka bëri dy gabime vendimtare. Te goli i parë, shkaku i pakujdesisë ia dha topin kundërshtarit pas një faulli dhe ne nuk kishim kohë për t’u rikthyer. Te goli i dytë, ai thjesht shikoi në vend se të intervenonte. Këto gabime nuk duhet të ndodhin”.
“Aspekti ofansiv ishte solid kundër Danimarkës, por urgjentisht duhet të përmirësohemi në mbrojtje. Nuk ka kuptim që gjithnjë të shpresojmë të shënojmë tre gola për të fituar”.
Ndër të tjera, Behrami kishte kritika edhe për zëvendësimet e Zvicrës, duke deklaruar se stoli dhe ekipi startues dallojnë shumë.
“Çfarë më shqetëson më së shumti është edhe difereneca mes lojtarëve titullar dhe rezervave. Problemi është në tërë strukturën e futbollit zviceran. Një shembull është U21shi, që dështuan të kualifikohen në Kampionatin Evropian pavarësisht që ishin në pozitë shumë të mirë”.
Kujtojmë, Zvicra rikthehet në “aksion” në nëntor, ku do të përballen me Serbinë më 15 nëntor, kurse tre ditë më vonë janë mysafir i Spanjës.