Ukraina triumfon ndaj Skocisë, kualifikohet në finale të 'play-off' - NACIONALE

Ukraina triumfon ndaj Skocisë, kualifikohet në finale të 'play-off'

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Ukrainës ka shënuar fitore me rezultat komod ndaj Skocisë, në kuadër të gjysmëfinales të 'play-off' për Kupën e Botës.

Ukrainasit që zhvilluan ndeshjen e parë pas pushtimit rus dhanë gjithçka për fitore, të cilën e arritën me plotë meritë, duke triumfuar me rezultat 1:3.

Lojtarët e Ukrainës fillimisht u futën në fushë me një mënyrë të veçantë, ku të gjithë mbanin flamurin mbi shpinë si lloj mbështetje për shtetin e tyre.

Craig Gordon dhuroi një asistim të mrekullueshëm nga distanca, ku gjeti për mrekulli Andriy Yarmolenko, i cili pastaj paraboloi portierin për t'i dhënë avantazhin Ukrainës.

Tutje, dy skuadrat kishin raste të mira shënimi, por assesi nuk i konkretizuan, kësisoj kjo pjesë përfundoi me këtë rezultat.

Pjesa e dytë ishte shumë më interesante, pasi të dy skuadrat luftonin më shpirt me vetëm një synim – fitoren, që do t’i kualifikonte në finalen e ‘play-off’, pra vetëm një hap larg Kupës së Botës.

Qysh në fillimin e 45-minutëshit të dytë, Roman Yaremchuk i dha qetësinë Ukrainës duke shënuar me kokë pas një harkimi të bukur të Karavaev (49').

E tëra që arriti të bëjë pastaj Skocia, ishte goli i nderit - që u shënua nga Callum McGregor, pas një gabimi të portierit, të cilit i rrëshqiti topi nga duart dhe përfundoi në rrjetë.

Pas këtij goli, skocezët zhvilluan lojë edhe më agresive, por që assesi nuk ia dolën të gjejnë golin e dytë, që se paku do t'i dërgonte në vazhdime.

Kur askush nuk e pritke, Ukraina krijoi një kundërsulm të shpejtë, me Oleksander Zinchenkon që asistoi për mrekulli për Artem Dovbyk, që e kishte shumë të lehtë të shënonte në pozitën një kundër një dhe vulosi fitoren e madhe të Ukrainës.

Kështu, 'ëndrra' për kualifikim në Kupën e Botës për Skocinë merr fund, derisa Ukraina ka edhe një tjetër finale.

Të dielën e ardhshme, Ukraina do të përballet me Uellsin në finalen e 'play-off', ku fituesi do të sigurojë biletën për në Kupën e Botës që zhvillohet këtë vit, vetëm disa muaj më vonë.

Lajme të ngjashme