Ukraina mbetet në garë, fiton me përmbysje ndaj Sllovakisë
Ndonëse ishin duke pësuar humbje pas pjesës së parë ndaj Sllovakisë, Ukraina ka arritur ta përmbysë rezultatin deri në fund të takimit, për të fituar 2:1 dhe për të mbetur akoma në garë për një vend në 1/8 e finales.
Përballja e zhvilluar në Merkuren Spiel-Arena në Dusseldorf ishte me dy ngjyra. Sllovakia ishte shumë më e mirë në pjesën e parë, ndërsa Ukraina luftoi për rezultat në 45 minutat në vazhdim.
Sllovakia kaloi në epërsi pas 17 minutash lojë, kur për 1:0 shënoi Schranz, i asistuar nga Haraslin.
Me epërsinë prej një goli u mbyll pjesa e parë, teksa në vazhdim Ukraina bëri përmbysjen e madhe të rezultatit.
Nëntë minuta pasi filloi pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 54-të, Shaparenko shënoi për të barazuar rezultatin në 1:1, me yllin e Arsenalit, Zinchennko që asistoi bukur.
Shaparenko u përfshi edhe në golin e përmbysjes së rezultatit, por kësaj radhe ai asistoi për Yaremchuk, me këtë të fundit që shënoi në minutën e 80-të për 2:1.
Deri në vërshëllimën e fundit nuk pati ndryshim në rezultat, me Ukraninën që merr tre pikët e para në këtë Evropian, duke u barazuar me Rumaninë, e Sllovakinë, me të vetmen Belgjikën në grupin E pa pikë të grumbulluara.
Rumania e Belgjika do të takohen nesër me fillim nga ora 21:00, me takimin që mbyll javën e dytë të EURO 2024.