UEFA shumë e ashpër me Demiral, ylli turk nuk do të luajë ndaj Holandës, dënohet me dy ndeshje moslojë
Siç raporton BILD, UEFA ka marrë masa të rënda, duke dënuar me dy ndeshje moslojë Merih Demiralin e Turqisë, për shkak se në ndeshjen ndaj Austrisë ku ai shënoi dy gola në 1/8 e finales por bëri një gjest që i takon grupit ultra-nacionalist.
Shenja që Demiral bëri me dorë është simbol i 'Ujqërve gri', një lëvizje ekstremiste e krahut të djathtë. Kjo organizatë është e monitoruar prej vitesh nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani.
Mesazhet politike janë të ndaluara në Kampionatin Evropian, si në tribuna ashtu edhe në fushë. Demiral tani për shkak të atij gjesti, do të humbasë ndeshjen çerekfinale ndaj Holandës që zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 21:00, por do të mungojë edhe në gjysmëfinale nëse turqit e arrijnë këtë gjë.
UEFA ka treguar se këto situata i merr shumë seriozisht. Shtëpia e futbollit evropian ka dënuar më parë Mirlind Dakun e Kombëtares së Shqipërisë, i cili pas barazimit me Kroacinë 2:2, mori një megafon në dorë, duke nxitur tifozët kuqezinjë me thirrje nacionaliste, madje duke kënduar edhe vetë. UEFA e dënoi atë me dy ndeshje moslojë, siç ka bërë tani me Merih Demiral.
Një dënim ka marrë edhe Jude Bellingham i Anglisë. Ylli i Real Madridit bëri gjest duke kapur organet gjenitale dhe për këtë UEFA nuk e ka pezulluar por e ka dënuar me gjobë prej 20 mijë euro.