UEFA e dënon Serbinë për thirrje raciste në EURO 2024, e pëson edhe Shqipëria - NACIONALE

UEFA e dënon Serbinë për thirrje raciste në EURO 2024, e pëson edhe Shqipëria

2 vjet më parë

nga NACIONALE

UEFA ka njoftuar se ka dënuar në tërësi shtatë federata të futbollit për thirrje raciste dhe diskriminuese gjatë EURO 2024, ku e ka pësuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë, ashtu edhe si Serbia, Hungaria, Austria, Sllovenia, Rumania dhe Kroacia.

Nëpërmjet një njoftimi, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi ta denojë FShF-në me 30 mijë euro për shkak të thirrjeve raciste në ndeshjet ndaj Kroacisë dhe Spanjës, ndërsa vendimi tjetër për ndalimin e shitjeve të biletave për një ndeshje në udhëtim është pezulluar për dy vite.

“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FShF-në me 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s në udhëtim, për shkak të sjelljeve raciste dhe diskriminuese të tifozëve të saj. Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”,

Dënim të njëjtë mori edhe Serbia, por për dallim, shitja e biletave për një ndeshje në udhëtim për këtë vend do të qëndrojë dhe nuk do të pezullohet, pas përsëritjeve të thirrjeve raciste dhe diskriminuese.

“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë Federatën e Serbisë me 30 mijë euro dhe të ndalojë federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s në udhëtim, për shkak të sjelljeve raciste dhe diskriminuese të tifozëve të saj."

Dënimin më të rëndë e ka pësuar Kroacia, pasi mori gjobë prej 50 mijë euro, gjithashtu një ndalim të shitjeve të biletave për një ndeshje në udhëtim.

Rumania u dënua me 40 mijë euro, Sllovenia e Hungaria me nga 30 mijë euro, ndërsa Austria me 20 mijë euro.

Ndër të tjera, UEFA ka vendosur disa sanksione të tjera për Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë. Këto tre federata e kanë të ndaluar shitjen e biletave për tifozët për një ndeshje jashtë shtëpisë. Ky vendim hyn në fuqi që në shtator, me nisjen e edicionit të ri të Ligës së Kombeve.

Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur edhe më herët nga UEFA, gjatë ndeshjeve finale të Kampionatit Evropian për shkak të sjelljes së tifozerisë. Vlera totale e paguar deri më tani nga FSHF është 171,125 euro ndërsa i shtohet kësaj shifre edhe gjoba e vendosur prej 30 mijë eurosh të mërkurën.

FShF ka bërë apel te tifozët që të jenë të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e incidenteve që janë të evitueshme, në mënyrë që t'u ikin dënimeve me gjobë që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.

Lajme të ngjashme