Udinese ia tregon vendin Interit dhe marshon frikshëm në pozitën e parë
Udinese ka vazhduar me paraqitje fantastike këtë sezon, derisa ka mposhtur kampionin e sezonit të fundit në Serie A, Interin, me rezultat 3-1, në përballjen e vlefshme për javën e shtatë në kampionatin italian.
Ishte një ndeshje interesante, me nikoqirët (Udinesen) që rrezikuan pas vetëm tre minutave lojë.
Sandi Lovric e gjeti veten të pamarkuar në një pozitë premtuese, pasi pranoi një krosim në afërsi të zonës, por përpjekja e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës.
Vetëm dy minuta më vonë, në të pestën saktësisht, Interi kaloi në epërsi me anë të një goli të bukur nga goditja e dënimit nga Nicolo Barella, i cili në mënyrë perfekte goditi topin me efej. Ishte moment i bukur futbolli.
Gjërat u balancuan në minutën e 22-të. Gjyqtari Paolo Valeri ndali lojën për një ndërhyrje taktike të Henrikh Mkhitaryanit (Inter), i cili u ndëshkua me të verdhë.
Gjuajtjen e lirë në rrjetë e devijoi Milan Skriniar (Inter), për të shënuar një autogol zemërthyes dhe për të barazuar rezultatin në 1-1.
Pavarësisht tentativave në vazhdim, rezultati mbeti baraz deri në minutën e 84-t.
Në këtë minutë, Gerard Deulofeu ekzekutoi një goditje perfekte nga këndi për të gjetur kokën e Jaka Bijoit të Udineses, i cili qëlloi rrjetën për ngazëllimin e nikoqirëve.
Në minutën e tretë të kohës shtesë, goditjen përfundimtare Interit ia dha Toigay Arslan, i cili kërceu më së larti për të pasur kontakt me një krosim të bukur, të cilin e devijoi në portë. Topi pati kontakt edhe me transversalen para se të përfundonte në rrjetë.
Pas shtatë javëve në Serie A, Udinese ka rrëmbyer pozitën e parë me këtë fitore, të paktën përkohësisht, derisa grumbullon 16 pikë, dy më shumë se Napoli në pozitën e dytë, por napolitanët kanë një ndeshje më pak të luajtur.
Në anën tjetër, Interi zë pozitën e gjashtë me 12 pikë, por rrezikohet nga Lazio për këtë vend, derisa romakët kanë një pikë dhe ndeshje më pak të zhvilluar se "Nerazzurrët".