Nënshkruhet marrëveshja, skitarja Sorschag: Jam krenare ta përfaqësoj Kosovën, jam falënderuese ndaj popullit kosovar
Sophie Sorschag edhe zyrtarisht do ta përfaqësojë Kosovën në kërcimet me ski ose ndryshe siç njihet si disiplina nordike. Kampionia botërore në ekipore u shpreh krenare dhe e lumtur me këtë vendim gjatë nënshkrimit bëri në Trieste në praninë e KOK dhe FSK.
Skitarja 24-vjeçe austriake, Sophie Sorschag, tani e tutje do ta përfaqësojë Kosovën në kërcimet me ski. Ajo vendosi ta bëjë këtë zgjedhje edhe si rrjedhojë e disa pakënaqësive që kishte me Austrinë, pasi nuk e ftuan me t’u rikuperuar nga lëndimi nënte mujor në ligamentet e gjurit.
Komiteti Olimpik i Kosovës njoftoi se sot është bërë edhe zyrtarisht nënshkrimi që konfirmon se skitarja Sorschag do të “fluturojë” për një vend tjetër, gjegjësisht Kosovën.
“Në një ceremoni të organizuar në Trieste të Italisë, ku po qëndrojnë drejtuesit e KOK-ut për garat e EYFO-it dimëror 2023, është nënshkruar kontrata mes Federatës Skitare të Kosovës dhe skitares Sophie Sorschag”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.
Vetë Sorschag u shfaq tejet e lumtur pasi iu dha fjala: "Jam shumë krenare që do ta përfaqësoj Kosovën në të ardhmen në kërcimin me ski. Dua ta falënderoj të gjithë popullin e Kosovës, pasi asnjëherë nuk kam ndier një mirëpritje të tillë kaq të ngrohtë siç e ndieva gjatë ditëve të fundit. Mezi pres të kem një të ardhme të suksesshme dhe jam mjaft krenare ta përfaqësoj Kosovën gjithandej botës në kërcimin me ski.”
Siç mund të shihet edhe në këtë njoftim të publikuar nga KOK, ku është edhe video e nënshkrimit të shumëpritur të Sorschagut që ta përfaqësojë Kosovën – falënderues dhe mjaft të emocionuar janë shprehur edhe trajneri i saj, Radelj, si dhe babai i saj, Michael Sorschag.
