Tyson Fury: Usyku do ta rrahë keq Joshuan, por nëse ky i fundit fiton e sfidoj falas në Londër - NACIONALE

Tyson Fury: Usyku do ta rrahë keq Joshuan, por nëse ky i fundit fiton e sfidoj falas në Londër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tyson Fury këmbëngul se Oleksandr Usyk do ta rrahë Anthony Joshuan muajin e ardhshëm në rimeçin e tyre në Arabinë Saudite, por e përsëriti se do të përballet me bashkatdhetarin e vet pa asnjë qindarkë nëse ai i hakmerret ukrainasit.

Fury njoftoi pensionimin nga boksi në prill pasi e mposhti britanikun tjetër Dillian Whyte për ta mbrojtur titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, megjithatë ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet për një luftë të fundit.

Duke i lënë tifozët e vet të hamendësojnë, ai zbuloi muajin e kaluar se do të ishte i gatshëm për një rikthim në ring kundër Joshuas për një shumë të majme parash prej 500 milionë funteve, por tani thotë se do të luftonte kundër tij falas në Angli.

Fury madje i ka thënë Joshuas se është i gatshëm ta stërvitë për rimeçin kundër Usykut, por 32-vjeçari e ka hedhur poshtë mundësinë.

“Unë do ta stërvitja atë për ta mposhtur Usykun me shumë lehtësi, por ai nuk e do ndihmën time sepse unë do ta stërvitja për të fituar dhe ai natyrisht nuk dëshiron të fitojë”, tha Fury.

“Nuk do ta tregoja (planin e lojës) sepse kështu do ta zbuloja sekretin. Por mbase do ta shihni se çfarë do të bëj”.

Fury shtoi: “Sepse kur ky boksier i kategorisë së mesme (Usyk) e rreh përsëri bodibuilderin (Joshuan). Ai do të humbë përsëri”.

Fury e ripërsëriti se do të luftojë kundër Joshuas falas, nëse ai ia del ta mposhtë boksierin ukrainas, edhe pse ndien se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Nëse ai e mposht Usykun, ai duhet të përballet me mua falas në Angli, për tifozët”, këmbënguli Fury.

“Jo për qindra miliona njerëz jashtë vendit, por këtu, në Britani të Madhe. Transmetim falas në TV, bileta falas në stadiumin e mbushur Wembley”.

“Ta shohim kush është njeriu i vërtetë i popullit”, theksoi Fury.

Joshua do të kërkojë t’i kthejë në pronësi titujt e botës në kategorinë e rëndë WBA, WBO, IBF dhe IBO në rimeçin kundër Usykut më 20 gusht në Arabinë Saudite.

Nëse ia del ta bëjë, atëherë mund të përballet me Furyn për titullin e kampionit të padiskutueshëm të botës dhe njëri prej tyre t’i mbajë të gjithë titujt e botës përnjëherë.

Lajme të ngjashme