Tri ndeshje të Premierligës anulohen para varrimit të Mbretëreshës - NACIONALE

Tri ndeshje të Premierligës anulohen para varrimit të Mbretëreshës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tri ndeshje të kësaj fundjave në Premierligë janë shtyrë, për shkak të varrimit të Mbretëreshës Elizabeth II.

Ndeshja e Chelseat kundër Liverpoolit në Londër dhe ajo e Leeds Unitedit kundër Manchester Unitedit në Mançester janë shtyrë.

Përballja Brighton – Crystal Palace ishte shtyrë më herët për shkak të grevës hekurudhore.

Ndeshjet e tjera në ligë mes datave 16 dhe 18 shtator do të zhvillohen, pasi futbolli në Britani të Madhe kishte pushuar fundjavën e kaluar si shenjë nderimi pas vdekjes së Mbretëreshës.

Varrimi i Mbretëreshës do të bëhet të hënën më 19 shtator.

“Pas konsultimeve të zgjeruara me klubet, policinë, grupet këshilluese për siguri lokale dhe autoritetet e tjera relevante, nuk kishim mundësi tjetër pos t’i shtynim tri ndeshje”, tha Premierliga në një njoftim.

“Data e reja për ndeshjet e shtyra do të njoftohen me kohë”.

Ndeshja e Brightonit me Palace ishte paraparë të zhvillohej me orar të shtunën, dhe derisa greva hekurudhore e caktuar për atë ditë u pezullua pas vdekjes së Mbretëreshës, ndeshja nuk do të luhet.

Dy përballjet e tjera ishin caktuar të zhvilloheshin të dielën në bazë të orarit.

Ndërkohë, ndeshja e Ligës së Evropës mes Arsenalit dhe PSV Eindhovenit në Emirates Stadium e kësaj të enjte, u shty për shkak të mungesës së policëve.

UEFA konfirmoi se kjo ndeshje do të luhet në një orar tjetër, për shkak të numrit të kufizuar të policëve në Londër gjatë zisë kombëtare për Mbretëreshën Elizabeth II.

Ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe përballjet e tjera në Ligën e Evropës të kësaj xhiroje pritet të zhvillohen siç është paparë me orar, përfshirë ajo mes Chelseat dhe Red Bull Salzburgut të mërkurën në Londër.

Por takimi i Rangers me Napolin është zhvendosur nga e marta në të mërkurën për shkak të numrit të policëve në Skoci.

I gjithë futbolli në Britaninë e Madhe u pezullua gjatë fundjavës së kaluar, si shenjë nderimi për Mbretëreshën, e cila vdiq të enjten e kaluar në moshën 96-vjeçare.

Por futbolli në ishull do të rifillojë këtë të marte me ndeshjet e kategorisë së dytë, tretë dhe katërt.

Premierliga do të rikthehet në fundjavë.

Para ndeshjeve do të nderohet Mbretëresha me një minutë heshtje dhe me këndim të himnit kombëtar.

Po ashtu, lojtarët do të bartin shirita të zinj në krahët e tyre, ndërsa flamujt do të vendosen në gjysmështizë.

Lajme të ngjashme