Shtyhet ndeshja Arsenal – PSV, shkaku i mungesës së policëve
Ndeshja e Ligës së Evropës mes Arsenalit dhe PSV Eindhovenit në Emirates Stadium e kësaj të enjte, është shtyrë për shkak të mungesës së policëve.
UEFA konfirmoi se kjo ndeshje do të luhet në një orar tjetër, për shkak të numrit të kufizuar të policëve në Londër gjatë zisë kombëtare për Mbretëreshën Elizabeth II.
Ende nuk dihet se kur do të zhvillohet ndeshja.
“UEFA njoftoi sot se ndeshja e Ligës së Evropës mes Arsenalit dhe PSV Eindhovenit, e caktuar për t’u zhvilluar të enjten më 15 shtator, është shtyrë dhe data e re e zhvillimit të saj do të njoftohet me kohë”, thuhet në një njoftim të UEFA-s.
“Shtyrja vjen për shkak të kufizimeve të mëdha të burimeve policore dhe çështjeve organizatave në lidhje me ngjarjet e vazhdueshme rreth zisë kombëtare për Mbretëreshën Elizabeth II”.
Rreth 3.000 tifozë të PSV-së pritej të udhëtonin drejt Londrës të enjten.
Ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe përballjet e tjera në Ligën e Evropës të kësaj xhiroje pritet të zhvillohen siç është paparë me orar, përfshirë ajo mes Chelseat dhe Red Bull Salzburgut të mërkurën në Londër.
Por takimi i Rangers me Napolin është zhvendosur nga e marta në të mërkurën për shkak të numrit të policëve në Skoci.
I gjithë futbolli në Britaninë e Madhe u pezullua gjatë fundjavës së kaluar, si shenjë nderimi për Mbretëreshën, e cila vdiq të enjten e kaluar në moshën 96-vjeçare.
Por futbolli në ishull do të rifillojë këtë të marte me ndeshjet e kategorisë së dytë, tretë dhe katërt.
Premierliga do të rikthehet në fundjavë.
Para ndeshjeve do të nderohet Mbretëresha me një minutë heshtje dhe me këndim të himnit kombëtar.
Po ashtu, lojtarët do të bartin shirita të zinj në krahët e tyre, ndërsa flamujt do të vendosen në gjysmështizë.