Tri ndeshje luhen sot, vëmendja në Gjilan - NACIONALE

Tri ndeshje luhen sot, vëmendja në Gjilan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Java e 25-të në Superligën e futbollit të Kosovës konkludohet me tri ndeshjet që luhen sot në orar të njejtë.

Ballkani, të shtunën shkatërroi Feronikelin në krizë, duke e mposhtur 6-0, derisa shtoi distancën në katër pikë si lider me përcjellësin më të afërt, Gjilanin.

Mirëpo, sot, 'Skifterat' kanë mundësinë të rikthejnë distancën në vetëm një pikë, nëse fitojnë përplasjen si nikoqirë me Llapin, i cili kërkon të bëjë presion në top treshe dhe aktualisht ka 40 pikë në vendin e katërt, dy më pak se Drita një pozitë më lart.

Gjilani është skuadra e dytë që ka grumbulluar më së shumti pikë si nikoqir në Superligë këtë sezon, duke marrë 24 pikë nga 33 të mundshmet (shtatë fitore, tri barazime, një humbje), ndërsa Llapi ka fituar 18 pikë si mysafir nga 33 të mundshmet (pesë fitore, tri barazime dhe tri humbje).

Në anën tjetër, 'Intelektualët' kanë punë më të lehtë, të paktën në letër, në udhëtim kundër Dukagjinit, i cili - në terren nikoqir këtë sezon - ka një bilanc prej katër fitoreve, katër barazimeve dhe tri humbjeve, duke u pozicionuar në vendin e tetë në tabelë me 25 pikë.

Drita ka qenë prej skuadrave më të mira në ligë kur ka luajtur si mysafire, duke grumbulluar 19 pikë nga 11 ndeshje - gjashtë fitore, një barazim dhe katër humbje.

Një përballje tjetër që pritet të jetë tejet interesante, marrë parasysh performancat e ngjashme këtë sezon, është ajo mes Drenicës dhe Malishevës.

Drenicasit aktualisht pozicionohen në vendin e gjashtë në tabelë me 32 pikë pas 24 ndeshjeve të luajtura, tri më shumë se Malisheva që është një pozitë më poshtë.

Me një bilanc prej pesë fitoreve, tri barazimeve dhe katër humbjeve në shtëpi, Drenica mund të konsiderohet favorit sot kundër një skuadreje që ka regjistruar vetëm tri fitore në udhëtim këtë fushatë.

Të gjitha ndeshjet, veç asaj Gjilani-Llapi që fillon nga ora 13:30, luhen me fillim nga ora 13:00.

Lajme të ngjashme