Trepça ’89 5:4 Llapi – mbase ndeshja më e dyshimtë në futbollin kosovar, lojtari pendohet pse shënon gol
Triumfi i Trepçës ’89 në një ndeshje me mal golash 5:4 kundër Llapit në sezonin 2019/20, është ndër më të çuditshmet dhe më të dyshimtat në futbollin kosovar. Por jo çuditërisht e përfshirë në të është skuadra e Llapit, e cila përballet me akuza të rënda për kurdisje të ndeshjeve sot.
Mediat franceze tronditën futbollin kosovar të enjten vonë kur raportuan se dy herë fituesi i Kupës së Kosovës dhe njëri prej klubeve kryesore në elitë, Llapi, dyshohet për kurdisjen e ndeshjeve, raporton Gazeta Nacionale.
Llapi dyshohet se i ka kurdisur katër ndeshje nga të cilat ka përfituar vetë dhe kanë përfituar edhe njerëz në Francë, për çfarë edhe u arrestuan nëntë persona këtë javë.
Nuk dihet nëse takimi i para më pak se tri viteve mes Trepçës ’89 dhe Llapit në Mitrovicë është në mesin e ndeshjeve që po hetohen, por ajo mbetet ndeshja më e dyshimtë ndër vite për publikun kosovar.
Trepça ’89 e priste Llapin në stadiumin Riza Lushta e ndeshjen e javës së 31-të, kur kishin mbetur vetëm edhe dy ndeshje deri në përfundim të sezonit, e cila ishte vendimtare për shpresat e klubit mitrovicas për mbijetesë.
Llapi e kishte veçse të garantuar qëndrimin në Superligë, pasi ndodhej në vend e shtatë me 42 pikë, ndërsa Trepça ’89 në vendin e nëntë me 38 pikë.
Lojtarët e Llapit nuk u duken të bezdisur aspak me pranimin e golave në mënyrë tejet të lehtë. Ata as nuk bënë përpjekje të mëdha për t’u mbrojtur derisa i pranuan pesë gola.
Çasti më i çuditshëm i asaj ndeshje, dhe pa dyshim që ngrit dyshime të mëdha, është kur Behar Maliqi shënon në minutën e 82-të për ta barazuar rezultatin në 4:4 për Llapin. Mesfushori duket sikur i penduar pse shënoi dhe në vend se të festojë, ec drejt fushës së vet kokulur.
Por Milot Avdyli shënon në minutën e 89-të për t’i fituar ndeshjen mitrovicasve, pasi u la i vetëm në zonë nga mbrojtësit e pa shqetësuar vizitorë. Derisa lojtarët e Trepçës ’89 i festonin golat, ata të Llapit duken plotësisht të painteresuar. Trepça '89 mbeti në Superligë atë sezon, pavarësisht se deri tri xhiro para përfundimit të sezonit ndodhej në vendin e parafundit.
Le Parisien dhe Le Figaro raportuan dje se nëntë persona janë arrestuar, në mesin e tyre katër kosovarë, në Francë së fundmi, nën dyshimin për përfshirje në katër ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar.
Llapi i ka mohuar akuzat për kurdisje.
Sipas gazetës franceze, një grup prej 10 personash të moshës 22 deri 50 vjeçare janë të përfshirë në skandalin për ndeshje të ndrequra për skuadrën e Llapit nga Podujeva. Sipas tyre në këtë skandal të përfshirë janë anëtarët e stafit drejtues, teknik dhe disa lojtarë.
Ata, pjesëtarë të komunitetit kosovar me seli në Francë, më pas shfrytëzuan rastin për të vënë baste shuma të mëdha në faqen e Française des jeux. Shuma e fitimeve të realizuara në këtë mënyrë gjatë vitit 2022 do të arrinte në të paktën 360,000 euro.

