Trajneri rus: Mirlind Daku duhet të marrë dënim serioz nga Rubini, të largohet nga Rusia
Rubin Kazan duhet ta përjashtojë Mirlind Dakun pas thirrjeve ofenduese që bëri ndaj tifozëve serbë dhe maqedonas, kështu ka deklaruar trajneri i CSKA Moskës Alexander Tarkhanov.
Tarkhanov për mediumin “Legalbet.ru” ka këshilluar Rubinin t’i jep dënim të rëndë shqiptarit, ngase sporti nuk duhet të ndërhyjë në politikë.
“Mendoj se Daku do të dënohet seriozisht. Serbët janë vëllezërit tanë dhe miqtë tanë, ata nuk mund të ofendohen. Ai duhet të dënohet financiarisht dhe ndoshta të largohet nga ekipi dhe nga Rusia”.
“Ai nuk ka thënë asgjë kundër Rusisë, por futbollistët nuk kanë të drejtë, të ndërhyjnë në politikë dhe të thonë gjëra të tilla. Le të shohim se çfarë vendimi do të marr Rubini”, deklaroi ai.
Daku u dënua me dy ndeshje moslojë nga UEFA, si pasojë edhe mungoi në humbjen e fundit kundër Spanjës, që e dërgoi Shqipërinë në shtëpi.
Megjithatë, Rubin Kazani disa ditë para vendimit të UEFA-s kishte njoftuar se do ta dënojë Dakun për veprimin e bërë.
Sidoqoftë, drejtori i klubit rus Alexander Aibatov ka nënvizuar se lidhja mes shqiptarit dhe futbollistëve tjerë serbë te Rubini vazhdon të jetë e ngrohët.
“Mendoj se nuk do të ketë konflikte mes tyre. Raportet ishin dhe janë të ngrohta. Mendoj se edhe Daku është i brengosur për situatën. Por, mendoj po ashtu se nuk do të ketë konflikte. Ndoshta Daku nuk e ka kuptuar situatën dhe ka vepruar në emocione”, shtoi Aibatov.