Trajneri i ri s’i ndryshon faktet: Kosova fton lojtarë që s’luajnë - NACIONALE

Trajneri i ri s’i ndryshon faktet: Kosova fton lojtarë që s’luajnë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Pavarësisht që jemi bërë me përzgjedhës të ri (Franco Foda), lista e Kosovës vazhdon të mbetet e njëjta – pra në kuptimin që ftohen lojtarë që faktikisht s’e meritojnë ftesën.

Përzgjedhësi gjerman do t'ia bëjë sefte në krye të Kosovës në dy miqësore gjatë këtij muaji, ku përballemi me Armeninë dhe Hungarinë. Në vend që të punojmë si në çdo shtet të botës, që miqësoret të jenë për t’i aktivizuar lojtarët e rinj ose bindur prurjet e reja, Foda ka bërë një listë me disa lojtarë që as s’luajnë në ekipet e tyre.

E nisim me aspektin ofansiv. Kosova ka një numër të madh të sulmuesve në të gjitha pozitat, mirëpo çuditërisht ai vendosi të ftojë Elbasan Rashanin e Clermontit dhe Zymer Bytyqin e Antalyasporit, dy lojtarë që së bashku e kanë një kontribut në ligat e tyre, pra një asistim.

Anësori i majtë e ka humbur plotësisht vendin te Clermont në Ligue 1 në Francë, ku këtë sezon ka bërë 18 paraqitje duke marrë dy kartonë të verdhë, e mos kontribuar me gol ose asistim.

Kurse, në anën tjetër Zymer Bytyqi ka bërë 26 paraqitje në Superligën Turke duke dhuruar vetëm dy asistime në përgjithësi.

Nëse lojtarët ftohen sipas formës (siç funksionon në çdo shtet të botës), atëherë ftesa e dërguar ndaj dy lojtarëve të lartpërmendur para Ermal Krasniqit të Rapidit (katër gola e tre asistime në tetë ndeshje te Rapidi) është çudi në vete.

Përpos kësaj, Krasniqi fatkeqësisht nuk ndodhet as në listën rezervë, ku gjendet vetëm emri i Emir Sahitit, që s’ka luajtur për Kosovën që një kohë të gjatë.

Këso vendime befasuese ka pasur edhe në aspektin defansiv, ku ftesë ka marrë Mirlind Kryeziu para Kreshnik Hajrizit që është lënë në bankën rezervë.

Kryeziu tërë sezonin ka bërë vetëm tetë paraqitje, plot 11 më pak se Hajrizi, që në fakt ka kontribuar edhe me dy gola në Superligën e Zvicrës.

Për fund, kujtojmë se “Dardanët” do të përballen me Armeninë më 22 mars, kurse katër ditë më vonë i pret ‘testi’ i vërtetë ndaj Hungarisë.

Lajme të ngjashme