Trajneri i ri i Malishevës, Sermaxhaj: Duam t’i shkaktojmë humbje Ballkanit, synojmë qëndrimin në Superligë - NACIONALE

Trajneri i ri i Malishevës, Sermaxhaj: Duam t’i shkaktojmë humbje Ballkanit, synojmë qëndrimin në Superligë

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Trajneri Sami Sermaxhaj arriti marrëveshje për dy ditë me Malishevën, derisa objektivi kryesor mbetet qëndrimi në Superligë, kështu tha ai gjatë një bisede me gazetën Nacionale.

Pas shkarkimit të Arsim Thaqit nga skuadra malishevas, Sermaxhaj mori ‘timonin’ e klubit, duke mos u bërë e ditur se për sa vlen kontrata.

Në një bisedë për gazetën Nacionale, Sermaxhaj tregoi për marrëveshjen e arritur, ku theksoi se ishte shumë e lehtë pas bisedës me Driton Morinën.

"Duke marrë parasysh se kanë nisur garat, nuk duhet shumë kohë edhe për klubin, por edhe për mua që të vendosi për një përgjigje pozitive ose negative. Në këtë rast përgjigja ishte pozitive, pra shumë shpejtë me presidentin (Driton Morina) u dakorduam, ishte një takim i shkurtër, shumë profesional me pika shumë të shkurtër për pika kryesore - përcaktimi i objektivave dhe qëllimi që është për këtë sezon. Nuk ishte e vështirë të dakordohemi për udhëheqjen e klubit".

Ai konfirmoi se arriti marrëveshje pas vetëm dy ditëve negociata me Malishevën.

"Mund të them dy ditë, më shumë jo. Edhe nga përvoja po të tregoj se kur kam pasur negociata më të gjatë, ato më kanë dështuar, këtu kur kam pasur më të shkurtër më kanë dal të suksesshme".

Sermaxhaj tregoi pastaj për objektivat, ky synimi është qëndrimi në elitë, e derisa një vend në Evropë e vlerësoi si mrekulli.

"Duhet të jemi realist, fillimi nuk ka qenë i mirë. I ndodh çdo klubi që për një periudhë të ketë krizë të rezultateve edhe duhet të jemi realist, ne jemi krejt poshtë në tabelë dhe ndeshjet duhet t'i marrim një pas një dhe seriozisht në Superligë. Ndërsa, sa i përket Evropës arritja aty me Malishevën këtë vit do të ishte mrekulli. Tash, mrekullitë nuk ndodhin shpesh. Objektiv është të përformojë stabil dhe t'i shmanget shkuarjes në barazh ose rënies nga liga".

I pyetur për nivelin e futbollistëve, trajneri dha lëvdata për Arsim Thaqin, derisa shtoi se iu bashkua klubit vetëm shkaku i këtij grupi të futbollistëve.

"Mendoj që ky klub është ndërtuar shumë mirë edhe atë falë punës së bërë edhe nga zyrtarët e klubit, por me theks të veçantë nga trajneri i mëhershëm, Arsim Thaqi. Arsyeja kryesore është pikërisht grupi i lojtarëve, që mendoj se është i denjë për më përfaqësuar edhe klubin, por edhe me përformuar stabil në Superligën e Kosovës".

Sermaxhaj nuk hezitoi të flet edhe për ndeshjen e radhës kundër Ballkanit, për të cilët nënvizoi se janë duke luajtur futboll që e kalon nivelin e Superligës së Kosovës.

"Kështu ka rastis, nuk e kam shqyrtuar shumë këtë orarin e ndeshjeve. Por, ndeshjet do t'i marrim një nga një. Fati ka dashur që ndeshjen e parë ta kemi ndaj Ballkanit. Nuk kam koment për ta, kanë ecur me hapa gjigand brenda këtyre katër - pesë viteve. Sa i përket lojës, që e kalon nivelin e ligës së Kosovës e falë atyre ndeshjeve ndërkombëtare, e këto ndeshje e kanë ngritur sesa liga e Kosovës".

Pavarësisht që i vlerësoi lartë, ai beson se Malisheva mund të arkëtojë se paku një pikë në këtë sfidë edhe pse do të mundohen të japin maksimumin për të arkëtuar pikët e plota.

"E dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por do të shikojmë përparësitë e tyre, e ato pak shanse që do të na jepen t'i shfrytëzojmë që të dalim me rezultat pozitiv. Kur shohim tabelën, lojtarët - gjasat më të mëdha janë për Ballkanin. Na çdo ndeshje i qasemi për të fituar, unë mund të garantoj një mënyrë të lojës dhe me disiplinë shumë të madhe, por nuk garantoj rezultat pozitiv. Gjasat janë më të mëdha për Ballkanin, duke parë përformimin dhe vijnë nga një formë e mirë që janë rikuperuar për 10 ditë. Por, ne kemi planin tonë dhe do të mundohemi në maksimum që t'i shkaktojmë edhe humbje Ballkanit, ose barazim. Shanset më të mëdha janë për ta, por edhe ne do të kemi shanset tona".

Në fund, Sermaxhaj falënderoi sërish presidentin e klubit për besimin, derisa premtoi se “do të punojmë që të përmirësojmë rezultatet”.

"Dua të falënderoj presidentin e klubit, me të cilën shumë shkurt jemi dakorduar dhe më kanë pritur shumë mirë si udhëheqësit ashtu edhe lojtarët. Mendoj që edhe më herët ka qenë atmosfera e mirë në klub, por shoh një atmosferë të shkëlqyer qoftë nga udhëheqësit ashtu edhe nga lojtarët. Do të punojmë që të përmirësojmë rezultatet edhe në fushën e lojës", përfundoi ai për Nacionalen.

Malisheva pas shtatë xhirove të zhvilluara renditët në pozitën e tetë në tabelë me shtatë pikë të tubuara.

Lajme të ngjashme