Trajneri i Italisë ankohet se s’ka boll talente vendore: Duhet të marrim lojtarë të huaj
Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, është qarë se po përballet me një mungesë futbollistësh italianë që luajnë në Serie A për t’i thirrur në ekipin kombëtar.
Mancini beson se ndër arsyet kryesore pse ka mungesë të futbollistëve është fakti se fëmijët nuk luajnë më futboll në rrugë.
Edhe trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, ka folur ngjashëm për mungesën e lojtarëve anglezë në Premierligë.
“Ne jemi edhe më keq se Southgate”, tha Mancini.
Anglia do të udhëtojë drejt Napolit për t’u përballur me Italinë në ndeshjen e parë të tyre në kualifikime për Kampionatin Evropian 2024 të enjten.
Italia e fitoi Evropianin 2020, por dështoi menjëherë të kualifikohet për Kupën e Botës 2022, që ishte hera e dytë radhazi pas Botërorit 2018.
Tri klube të Serie A – Napoli, Inter dhe Milan – janë në mesin e tetë skuadrave më të mira në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas gati dy dekadave.
Megjithatë, Mancini nuk mendon se kjo gjë e përmirëson ekipin kombëtar italian.
“Nuk e kuptoj pse ka kaq pak sulmues, jemi shumë të kufizuar në sulm”, tha Mancini.
“Ne i kemi tri ekipe në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por nga ato tri ekipe aty i ke shtatë apo tetë italianë më së shumti. Ky është realiteti”, nënvizoi ai.
Ai shtoi: “Dikur ne luanim tri apo katër orë në rrugë dhe pastaj shkonim për të stërvitur, sot nuk ndodh kjo. Nuk është rastësi që lojtarët po zbulohen ende në këto vende, si Uruguai, Argjentina apo Brazili, ku njerëzit luajnë ende shumë nëpër rrugë”.