Trajneri i Hungarisë, Rossi: Kosova luan futboll direkt, s’ka eksperimente - NACIONALE

Trajneri i Hungarisë, Rossi: Kosova luan futboll direkt, s’ka eksperimente

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Përzgjedhësi i Hungarisë Marco Rossi thotë se nuk sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Zvicrës dhe që s’do të eksperimentojë me “Dardanët”.

Kosova do ta zhvillojë testin e vërtetë të martën ndaj Hungarisë, kombëtare që nuk di për humbje që 15 ndeshje radhazi.

Në konferencë për shtyp, Rossi është pyetur nëse sheh ngjashmëri mes Zvicrës dhe Kosovës, duke marrë parasysh se përballjen e parë për hungarezët do të jetë ndaj helvetikëve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

“Ata (Zvicra) përfaqësojnë një nivel tjetër, mënyra e lojës është ndryshe. Loja që bën Zvicra është më dominuese, e posedojnë topin, shikojnë për hapësira të ngushta që mund të fitohen përmes dueleve”.

“Kosovarët në anën tjetër luajnë futboll më direkt. Prandaj mund të flasim për kombëtare tjera në personalitet dhe mënyrën e lojës”.

I pyetur nëse do të provojë gjëra tjera ndaj Kosovës, Rossi rikujtoi deklaratën e famshme të italiani Franco Scoglio që thoshte: “Në kombëtare nuk ka eksperimente që bëhen nga arroganca”.

“Nëse do të ketë ndonjë ndryshim, do të jetë i limituar te lojtarët që mund të mbështetemi në Kampionatin Evropian, pra nëse mund të përdoren për disa pozita të caktuara”, deklaroi ai.

Përballja mes Hungarisë dhe Kosovës zhvillohet në “Puskas Arena”, ku stadiumi pritet të jetë i stërmbushur pasi raportohet se të gjitha biletat janë shitur, pra plot 67 mijë copa.

Lajme të ngjashme