Trajneri i Chelseat pas fitores ndaj Brighton: Kjo duhet të jetë pika e kthesës
Trajneri i Chelseat, Mauricio Pochettino, ka thënë se fitorja dje ndaj Brighton në Kupën Carabao duhet të jetë një pikë kthese për skuadrën e tij, pas një fillimi shumë të dobët në Premierligë.
Brightoni në formë u mposht në Stamford Bridge të mërkurën në Kupën Carabao nga goli i fitores së Nicolas Jackson, duke i dhënë Chelseat vetëm fitoren e dytë në përgjithësi këtë sezon. Trajneri argjentinas foli pas ndeshjes se si rezultati duhet të ndezë një luftë te lojtarët e tij për të ndryshuar sezonin e tyre.
“Është vërtet e rëndësishme për ne që të arrijmë fitoren dhe të kalojmë në raundin tjetër pas disa ndeshjeve ku nuk shënuam apo fituam”, tha ai për Sky Sports.

Pochettino më pas u pyet nëse rezultati ishte një pikë kthese për ekipin e tij: "Duhet të jetë, duhet të jetë. Është koha. Sot kishte shumë gjëra pozitive. Sot pamë lojtarët që luftonin për të dhënë më të mirën e tyre. Është koha."
Trajneri i Chelseat gjithashtu përshëndeti Jackson pas golit të tij: "Është e rëndësishme që lojtarët sulmues të gjejnë rrjetën. Ai ishte vërtet i mirë."
Goli i Jacksonit në minutën e 50-të të lojës ishte i pari për të kaltrit që nga fitorja 2:1 kundër AFC Wimbledon më 30 gusht në raundin e mëparshëm të kompeticionit. Që atëherë, ata janë mbajtur pa gol në tre ndeshje radhazi në Premierligë.

Chelsea e Pochettinos ndeshjen e radhës do ta ketë kundër Fulham të hënën, më 2 tetor në një përpjekje për të marrë fitoren e parë në Premierligë që nga Luton në gusht.
