Trajneri i Brightonit: Brajan Gruda s’është tipik gjerman
Trajneri i Brightonit Fabian Hruzeler thotë se shqiptari Brajan Gruda s’është tipik gjerman, por mund të bëjë gjëra të veçanta me topin.
Gruda që ka refuzuar përfaqësimin e Shqipërisë për Gjermaninë kompletoi kalimin në Premierligë te Brightoni, në një marrëveshje 30 milionë euro.
Hurzeler për faqen zyrtare të Brightonit thotë se Gruda nuk është tipik gjerman, mirëpo ka talent të veçantë.
“Nuk do të thosha që është tipik gjerman. Ka aftësi fantastike me topin. Është djalosh i rrugës, siç themi në Gjermani. I pëlqen të driblojë, ta ketë topin në këmbë. Mund të bëjë gjëra të veçanta”.
Sa i përket pritshmërive, ai shtoi: “Na duhet t’i japim Brajanit kohë. Vjen nga Gjermania. Është ende shumë i ri dhe këtu kultura është ndryshe. Premierliga është liga më e mirë në botë. Do të provojmë ta fusim në skuadër sa më shpejtë që është e mundur dhe t’i japim mbështetjen më të madhe dhe ndihmën që i duhet, njësoi si të gjithë lojtarët e tjerë, që të përmirësohet dhe të jetë gati për Premierligën”.
Ndërkohë, Gruda ende ka të drejtë ta përfaqësojë Shqipërinë shkaku që nuk ka bërë paraqitje zyrtare për Gjermaninë, megjithatë gjasat janë të vogla.