Trajneri i Arbër Zenelit në Reims pa licencë, klubi dënohet për çdo ndeshje nga UEFA
Trajneri i Reims, Will Still, skuadrës së anësorit kosovar, Arbër Zenelit, po drejton skuadrën në kampionatin francez me shumë sukses, por ai nuk posedon licencën UEFA Pro dhe kësisoj, vetë skuadra për çdo ndeshje që zhvillon me këtë trajner në krye dënohet me 25 mijë euro.
Reims po zhvillon një sezon mesatarisht të mirë, pasi që pas 20 ndeshjes të zhvilluara gjendet në vendin e 11-të, por suksesi më i madh është se në 12-të ndeshjet e fundit ata nuk dinë për humbje.
Suksesi i fundit i trajnerit Will Still ishte në fundjavën që lamë pas, që nxori barazim ndaj skuadrës përplot yje, Paris Saint-Germain. Ishte Neymar që shënoi për golin e epërsisë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Folarin Balogun shënoi në minutat shtesë për të barazuar rezultatin.

Trajneri që ka prejardhje gjysmë angleze e gjysmë belge, i lindur në vitin 1992, është trajneri më i ri në Evropë dhe aktualisht është duke ndjekur kursin për licencën UEFA Pro.
Rrjedhimisht, Reims përballet me një gjobë relativisht të lartë prej 25 mijë eurove për çdo ndeshje që Will Still është në drejtim të tyre, derisa ai të bëhet me licencën që ia lejon të drejtojë skuadër në nivelin më të lartë të futbollit.
I pyetur se a zbritet kjo shumë nga paga e tij, trajneri Still tha se kjo është negociuar disi me klubin.
“Klubi më tha se janë të gatshëm të investojnë në karrierën time, përderisa ne vazhdojmë të fitojmë.”

